Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

A është Microsoft-i Djalli i Madh?

Këtij artikulli iu bë një rishkrim i gjerë më 2009-n. Mund të kihet edhe versioni i vjetër.


Mjaft vetë e mendojnë Microsoft-in si kërcënimin kolosal të industrisë së software-it. Pati madje edhe një fushatë specifike për të bojkotuar Microsoft-in. Kjo ndjenjë është intensifikuar që kur Microsoft-i shprehu armiqësi aktive kundrejt software-it të lirë.

Në lëvizjen e software-it të lirë, pikëpamja jonë është ndryshe. Themi se Microsoft-i bën diçka që keqtrajton përdoruesit: duke e bërë software-in pronësor dhe duke u mohuar kështu përdoruesve lirinë e tyre të drejtë. Por Microsoft-i s’është vetëm në këtë rrugë; mjaft shoqëri të tjera bëjnë të njëjtën gjë me përdoruesit. Nëse shoqëri të tjera arrijnë të dominojnë më pak përdorues se Microsoft-i, kjo s’vjen ngaqë s’kanë provuar.

Kjo s’është menduar si shfajësim i Microsoft-it. Por si një kujtesë që Microsoft-i është zhvillimi natyror i një industrie software-i të bazuar në mbajtjen e përdoruesve të përçarë dhe nënshtrimin e tyre. Kur kritikohet Microsoft-i, s’duhet të përqendrohemi kaq ngushtë me Microsoft-in, aq sa të lëmë jashtë vëmendjes zhvillues të tjerë software-i pronësor.

Kur hedhim poshtë software-in pronësor të Microsoft-it, ky s’është bojkot. Fjala “bojkot” nënkupton hedhje poshtë, si protestë, e produktesh që, përndryshe, janë të pranueshëm. Hedhja poshtë e një produkti ngaqë ju cenon, s’është bojkot, është të qenët i arsyeshëm i rëndomtë. Për ruajtur lirinë tuaj, ju duhet të hidhni tej software-in që jua heq lirinë, pavarësisht se cilët e zhvilluan, apo cilët e shpërndajnë.

S’ka arsye pse të hidhen tej produkte Microsoft jo-software, ose shërbime që i përdorni pa software pronësor. (Kur përdorni një shërbim web, të Microsoft-it apo jo, hapni sytë për programe JavaScript jo të lirë, që mund të provojë të kalojë në shfletuesin tuaj.) Kur Microsoft-i hedh në qarkullim programe të lirë, çka me raste e bën, teorikisht ata janë të pranueshëm. Por, shumica e tyre varen në themel nga software Microsoft pronësor, të cilin na duhet ta hedhin poshtë dhe i bën të pavlerë për këdo që zgjedh të jetojë në liri.

Në “dokumentet e Halloween-it” të dekonspiruar më tetor të 1998-s, drejtues të Microsoft-it pohonin një synim për të përdorur metoda të ndryshme për të penguar zhvillimin e sofware-it të lirë: më hollë, të hartoheshin protokolle të fshehtë dhe formate kartelash dhe patentim algoritmesh dhe veçorish software-i.

Këto politika penguese s’qenë gjë e re: Microsoft-i dhe mjaft shoqëri të tjera software-i e kanë bërë për vite të tëra. Fshehtësia dhe patentat na kanë penguar bukur fort dhe mund të bëjnë edhe më tepër dëm në të ardhmen. Për pjesën më të madhe, motivimi kryesor i shoqërive për të bërë gjëra të tilla është të sulmojnë njëra-tjetrën; tanimë, duket se na synojnë posaçërisht. Microsoft-i po i përdor drejtpërdrejt patentat e veta për të sulmuar bashkësinë e software-it të lirë dhe bashkësia jonë po kundërpërgjigjet.

Por patentat e Microsoft-it s’janë patentat e vetme që na kërcënojnë (ne dhe zhvillues dhe përdorues software-i, në përgjithësi)—sillni në mend dëmin që kanë bërë patentat për MP3. Ndaj, mbrojtja ndaj sulmesh specifike është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Zgjidhja e vetme e plotë është të eliminohen patentat e software-it.

Praktika të tjera të Microsoft-it posaçërisht të dëmshme për adoptimin e software-it të lirë janë ato të hartuara për të arrit inerci shoqërore që pengon migrimin në GNU/Linux. Për shembull, kur Microsoft-i “dhuron” kopje të Windows-it për shkolla, i shndërron këto shkolla në mjete për mbjelljen e një varësie nga Windows-i. Ka tregues se Microsoft-i i planifikon sistematikisht këto veprimtari si fushatë kundër adoptimit të GNU/Linux-it.

Çdo “përmirësim” i Windows-it shton fuqinë e Microsoft-it mbi përdoruesit. Microsoft-i e planifikon në këtë mënyrë. Dhe çdo i tillë është një hap drejt veçorish dashakeqe, që përfshijnë Administrim Dixhital Kufizimesh dhe deriçka të pasme. Pra, FSF-ja organizon fushata për t’i sinjalizuar përdoruesit kundër “përmirësimit” me Windows Vista dhe Windows 7. Ne synojmë të reduktojmë sasinë e inercisë që do të krijojnë.

Ne nuk e urrejmë Microsoft-in dhe s’e konsiderojmë Djallin e Madh. Por e njohim si shoqërinë që ka ndarë më tepër përdorues nga liria e tyre se sa cilado tjetër dhe si një armik të fuqishëm të deklaruar të lirisë së përdoruesve të kompjuterit. Veprojmë në përputhje me këto.