Liri apo Pushtet?
nga Bradley M. Kuhn dhe Richard M. StallmanDashuria për liri është dashuri për të tjerët; dashuria për pushtet është dashuri për veten. —William Hazlitt
Në lëvizjen për software të lirë, ne jemi për liri të përdoruesve të software-it. Idetë tona i formuluam duke parë se cilat liri janë të domosdoshme për një rrugë të mbarë jetese dhe i lejojnë programet e dobishme të farkëtojnë një bashkësi dashamirësie, bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Kriteri ynë për software të lirë përcakton liritë që u duhen përdoruesve të një programi për të mundur të bashkëpunojnë në një bashkësi.
Ne jemi për lirinë e programuesve dhe për liri të përdoruesve gjithashtu. Shumica prej nesh janë programues dhe duam liri për veten dhe për ju gjithashtu. Por secili prej nesh përdor software të shkruar nga të tjerë, dhe duam liri teksa e përdorim atë software, jo thjesht kur përdorim kod nga vetja. Jemi për liri për krejt përdoruesit, qoftë nëse këta programojnë shpesh, me raste, ose fare.
Por një e ashtuquajtur liri, të cilës nuk i dalim në mbrojtje, është “liria për të zgjedhur çfarëdo licence që të doni për software-in që shkruani”. Ne e hedhim poshtë këtë, ngaqë është vërtet një formë pushteti, jo lirie.
Ky dallim shpesh i anashkaluar është kyç. Liri do të thotë të jeni në gjendje të merrni vendime që prekin kryesisht ju vetë; pushtet do të thotë të merrni vendime që prekin më shumë të tjerët se sa ju. Nëse ngatërrojmë lirinë me pushtetin, do të dështojmë në mbrojtjen e lirisë së vërtetë.
Bërja pronësor e një programi është ushtrim pushteti. Ligji i sotëm i të drejtave të kopjimit ua akordon zhvilluesve të software-it atë pushtet, në mënyrë që ata dhe vetëm ata të zgjedhin rregullat për t’ua imponuar gjithkujt tjetër — një numër relativisht i vogël personash marrin vendime bazë lidhur me software-in, për krejt përdoruesit, përgjithësisht duke u mohuar këtyre lirinë. Kur përdoruesit nuk i gëzojnë liritë që përkufizojnë software-in e lirë, ata s’mund të dinë se ç’kryen programi, s’mund të kontrollojnë për deriçka të pasme, s’mund të vëzhgojnë për viruse dhe krimba të mundshëm dhe s’mund të mësojnë dot se ç’të dhëna personale raportohen (apo të ndalin raportimet, edhe nëse arrijnë t’i zbulojnë). Nëse prishet, s’mund ta ndreqin; u duhet të presin që zhvilluesit të ushtrojnë pushtetin e tyre dhe ta bëjnë këtë. Nëse thjesht s’është dhe aq ai që u duhet, ngecin me të. S’mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin për ta përmirësuar.
Shpesh zhvillues të software-it pronësor janë biznese. Ne të lëvizjes së software-it të lirë nuk jemi kundër biznesit, por e kemi parë se ç’ndodh kur një biznes software-i është “i lirë” të imponojë arbitrarisht rregulla mbi përdoruesit e software-it. Microsoft-i është një shembull i rëndë se si mohimi i lirive të përdoruesve mund të shpjerë në dëm të drejtpërdrejtë, por s’është shembulli i vetëm. Edhe kur nuk ka monopol, software-i pronësor i bën dëm shoqërisë. Të mund të zgjedhësh pronar, nuk do të thotë liri.
Diskutimet mbi të drejtat dhe rregullat për software-in shpesh janë përqendruar vetëm te interesat e programuesve. Pak vetë në botë programojnë rregullisht dhe më pak akoma janë pronarë biznesesh software-i pronësor. Por shumica e njerëzimit sot përdor kompjutera (në veçanti, telefona të mençur) dhe përdor pra software, kështu që zhvilluesit e software-it tani kontrollojnë se si ai rron, vepron, komunikon dhe dëfren. Çështjet etike dhe politike nuk trajtohen nga slogani “liri zgjedhjeje (vetëm për zhvilluesit)”.
Nëse “kush ka kodin, bën ligjin”, (1) atëherë pyetja e vërtetë me të cilën ndeshemi është: cili do të duhej të kontrollonte kodin që ju përdorni — ju, apo ca kokrra nga një elitë? Ne besojmë se gëzoni të drejtën të kontrolloni software-in që përdorni dhe qëllimi i software-it të lirë është dhënia juve e atij kontrolli.
Ne besojmë se ju duhet të vendosni ç’të bëni me software-in që përdorni; por, kjo s’është ajo që thotë ligji sot. Ligji i sotëm i të drejtave të kopjimit na vendos në pozicion pushteti mbi përdoruesit e kodit tonë, na pëlqen apo jo neve. Përgjigja etike ndaj kësaj gjendjeje është të shpallet liria për çdo përdorues, ashtu si Karta e të Drejtave u mendua ta ushtronte pushtetin qeveritar duke garantuar liritë e çdo shtetasi. Për këtë është licenca GNU General Public License: ju vë juve në kontroll të përdorimit që i bëni software-it, teksa ju mbron nga të tjerët që do të donin të merrnin kontrollin e vendimeve tuaja.
Dora-dorës që gjithnjë e më shumë përdorues të kuptojnë se kush ka kodin bën ligjin dhe ta ndjejnë se lirinë e meritojnë edhe ata, do të shohin rëndësinë e lirive të cilat mbrojmë, ashtu si gjithnjë e më shumë përdorues kanë arritur të çmojnë vlerën praktike të software-it të lirë që zhvillojmë.
Poshtëshënim
- William J. Mitchell, City of Bits: Space, Place, and the Infobahn (Cambridge, Mass.: MIT Press, 1995), f. 111, siç citohet nga Lawrence Lessig tek Kod dhe Ligje të Tjera të Kiberhapësirës, Version 2.0 (New York, NY: Basic Books, 2006), p. 5.
Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.