Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Udhërrëfyes Mbi Përkthimin e Faqeve Web te www.gnu.org
Përkthimi i gnu.org-ut me artikujt e vet të shumtë dhe mbajtja e tyre të përditësuar është një punë e ndërlikuar, e cila kërkon organizim të kujdesshëm. Përkthyesit grupohen në ekipe, një për çdo gjuhë dhe çdo ekip ka zakonisht një bashkërendues. Sidoqoftë, ka disa gjuhë për të cilat s’ka ende një ekip dhe ndonjëherë, një ekipi i mungon bashkërenduesi.
Bashkërenduesit e Ekipeve përdorin mjete software për të përditësuar me efektshmëri faqet, në raste ndryshimesh të pjesshme. Një nga këto mjete është një program i quajtur GNUnited Nations (GNUN) që e bën shumë të lehtë mirëmbajtjen dhe ndjekjen e përkthimeve që duhen përditësuar; është krijuar ad hoc nga Përgjegjësi ynë i tanishëm i Përkthimeve GNU, Yavor Doganov.
Përgjegjësi i Përkthimeve është personi i ngarkuar me organizimin e përgjithshëm të ekipeve dhe përgjithësisht merret me stërvitjen e Bashkërenduesve të rinj të Ekipeve.
Si një Pjesëtar Ekipi, mund të jepni ndihmesë në përkthime pa ditur gjë rreth GNUN-it, por mund të ndihmoni në shkallë të tjera, nëse dini si ta përdorni.
Cili mund të ndihmojë
Krejt ekipet kërkojnë përherë për vullnetarë të rinj. Ka për të gjithë diçka për të bërë në procesin e përkthimit: na duhen persona me aftësi të mira gjuhësore, si edhe persona me aftësi të mira teknike ose që dëshirojnë të mësojnë disa aftësi të thjeshta teknike.
Nëse keni një njohje të thellë të anglishtes së shkruar dhe një zotërim të pasur të gjuhës tuaj mëmë, mund të përfshiheni padyshim në përkthim, ose të bëni redaktime. Shkrimi i mirë i anglishtes nuk është domosdoshmëri.
Nëse të kuptuarit e anglishtes prej jush nuk është i dorës së parë, ose nuk dini fare anglisht, por zotëroni mirë gjuhën tuaj mëmë, mund të ndihmoni duke shqyrtuar përkthimet e të tjerëve, për t’u siguruar që lexohen mirë dhe kanë stil të pranueshëm.
Nëse anglishtja është gjuha juaj mëmë dhe mund të lexoni edhe në një gjuhë tjetër, edhe pse jo shpejt dhe lehtë, mund të ndihmoni prapëseprapë të përmirësohen përkthimet në atë gjuhë. Përkthyesit ndonjëherë i kuptojnë gabim shprehjet frazeologjike dhe idiomatike të anglishtes dhe shkruajnë përkthime që janë të shtrembra ose madje të pasakta. Këto gabime bëjnë mu, për një që anglishten e ka gjuhën mëmë — mund të tregoni gabime të mundshme dhe të shpjegoni kuptimin e synuar dhe të tjerë mund ta ripërkthejnë atë pjesë.
Nëse prireni ose keni vendosur të merreni me anën më teknike të procesit të përkthimit, mund të ndihmoni më tej; për shembull, duke përgatitur tekste për publikim.
Si të Merret Pjesë
- Si Anëtar Ekipi
- Ju lutemi, lexoni Udhërrëfyesin e Përgjithshëm për Përkthime më poshtë dhe mandej lidhuni me ekipin e përkthimit përkatës. Çdo ekip ka sistemin e tij të organizimit të punës. Ndaj, që të bëheni pjesë e një ekipi të caktuar, lypset të merrni të dhëna të hollësishme prej atij ekipi. Bashkërenduesi i Ekipit do të jetë në gjendje t’ju udhëheqë lidhur me metodat e tyre specifike. Nëse nuk merrni përgjigje brenda dy javësh, shkruajini Përgjegjësit të Përkthimeve te <web-translators@gnu.org>.
- Si Kontribues Me Raste
- Nëse dëshironi vetëm të parashtroni një përkthim të ri dhe nuk interesoheni të bashkëpunoni rregullisht, ndiqni më poshtë Udhërrëfyesin e Përgjithshëm mbi Përkthimet dhe mandej dërgojeni përkthimin tuaj te Bashkërenduesi i Ekipit përkatës, nëse ka të tillë, ose te Përgjegjësi i Përkthimeve <web-translators@gnu.org>, nëse nuk ka ekip apo bashkërendues për gjuhën tuaj.
- Si Bashkërendues Ekipi
- Nëse nuk ka ekip për gjuhën tuaj, ose nëse duhet një bashkërendues i ri ekipi, do t’ju jemi mirënjohës, po ta merrni përsipër këtë punë. Si një bashkërendues, do t’ju duhet të ndiqni si Udhërrëfyesin e Përgjithshëm për Përkthimet, ashtu edhe atë më specifik, Udhërrëfyes për Bashkërendues Ekipi.
Udhërrëfyes i Përgjithshëm për Përkthimet
Ja cilat janë synimet tona specifike për faqet tona të përkthyera.
Qartësi
Me pak përjashtime, faqet që përkthejmë janë menduar për publikun e përgjithshëm. Përpara se të punoni mbi një faqe, ju lutemi, hidhini një sy origjinalit dhe pyeteni veten nëse është menduar për programues apo për publikun e përgjithshëm. Mandej, me përkthimin tuaj, synoni të njëjtin publik.
Në faqe të menduara për publikun e përgjithshëm, ju lutemi, shmangni fjalë që nuk në fjalorët e zakonshëm, hiq termat tanë specialë, të tillë si “GNU” dhe “copyleft” (shihni listën më poshtë).
Saktësi
Për të arritur prodhimin e një përkthimi që është i saktë dhe besnik ndaj origjinalit, lypset të jeni i familjarizuar me konceptet bazë të Projektit GNU dhe terminologjinë specifike të përdorur në gnu.org.
Ju lutemi, studioni filozofinë e lëvizjes së software-it të lirë, që kështu të mund ta paraqitni saktë dhe qartë. Artikujt vijues do t’ju jenë veçanërisht të dobishëm:
- Ç’është Software-i i Lirë?
- Kategori Software-i të Lirë dhe Jo të Lirë
- Fjalë Për T’u Shmangur
- Ç’Përmban Emri?
- Burimi i Hapur Nuk e Rrok Thelbin e Software-it të Lirë
Këto terma dhe kartela lypin kujdes të veçantë:
Copyleft. Ky është një term që në disa gjuhë mund të jetë i vështirë për t’u përkthyer. Është një lojë fjalësh ndaj fjalës “Copyright” bazuar në dy kuptimet e “right”-it: atë etik dhe atë që lidhet me drejtimin. Mund të lexoni artikullin Ç’është Copyleft-i? që të njiheni më nga afër me të dhe për të parë se si është përkthyer në gjuhë të tjera. Do të shihni se në shumicën e rasteve s’është përkthyer fare, ndaj, nëse s’gjeni dot një përkthim të përshtatshëm për gjuhën tuaj, mundësia e vetme mund të jetë përdorimi i fjalës anglishte.
Free Software. Shumica e gjuhëve kanë një fjalë për "i lirë", si tek fjala "liri" dhe një tjetër fjalë për falas (çmim zero). Tek gnu.org përgjithësisht përdorim “i lirë” vetëm referuar lirisë dhe themi “falas”, kur nënkuptojmë çmim zero. Ndaj, ju lutemi, përkthejeni “free” përmes fjalës që nënkupton “i lirë” si te “liria”, jo përmes asaj që i referohet çmimit.
Megjithatë, në disa faqe të vjetra, të tilla si GNU Manifesto dhe njoftimi fillestar, nuk e bëmë këtë dallim. Gjatë përkthimit të këtyre faqeve, mund të keni nevojë të mendoheni me kujdes rreth trajtimit si duhet të çdo hasjeje të fjalës “free”. Mund të vendosni për ta lënë fjalën në anglisht, ndjekur nga shpjegimi i kuptimit për atë hasje: liri, çmim, ose të dyja në mënyrë të dykuptimtë.
Sidoqoftë, edhe në këto faqe të vjetra, fjala që përdorni normalisht për të përkthyer “free” te “free software” do të duhej të ishte ajo që i referohet lirisë.
Shihni Përkthime të Termit “Free Software” në disa gjuhë.
Digital Restrictions Management (DRM). Kjo është ajo çka përdorim në gnu.org për të shmangur termin propagandistik “Digital Rights Management”. Nënkupton teknikat dixhitale që përdoren për të vendosur me detyrim kufizime mbi përdoruesin dhe këto kufizime vlejnë jo vetëm për objekte dixhitale, por edhe ato materiale.
Megjithatë, ka një dykuptimësi të hollë te termi anglisht “Digital Restrictions Management”. Mund të interpretohet në dy mënyra:
- Administrim Dixhital i Kufizimeve.
- Administrim i Kufizimeve Dixhitale.
Në shumë gjuhë këto lypin fjalë të ndryshme. Kuptimi i saktë është i pari, ndaj përkthimi duhet ta bëjë të qartë këtë. Po njësoj me “rights” në vend se “restrictions”.
-
Should. Kur bëhet fjalë për një çështje etike, “should” nënkupton se do të ishte gabim të bëhej gjithçka tjetër. Për shembull, faqja e titulluar “Pse Software-i i Lirë Do të Duhej të Ishte i Lirë” shpjegon pse është gabim të krijohet software jo i lirë në botën e tanishme në të cilën jetojmë.
Prandaj, ju lutemi, përkthejeni “should” duke përdorur një formë foljore që lë të kuptohet një detyrim të fortë etik. Mos e përktheni në një mënyrë që nënkupton “do të ishte e parapëlqyer që software-i të ishte i lirë”, ose “në një botë ideale, software-i duhej të ishte i lirë”. Këto s’janë aq të fuqishme sa duhet.
GNU's Not Unix. Kur vjen puna për të përkthyer “GNU's Not Unix”, ju lutemi, bëni të mundur që përkthimi të jetë rekursiv. Nëse nuk arrihet të sajohet një përkthim rekursiv, përdorni formatin vijues (ky është një shembull nga suedishtja): “GNU's Not Unix ( GNU är inte Unix)”.
Përjashtim: Faqja philosophy/words-to-avoid.html është një përjashtim nga rregullat tona të zakonshme rreth se ç’terminologji të përdoret, ngaqë paraqet shembuj se çfarë të mos thuhet. Për shembull, përgjithësisht i rrimë larg termit “Digital Rights Management”. Megjithatë, e përmendim atë term te philosophy/words-to-avoid.html me qëllim që t’u këshillojmë të tjerëve t’i rrinë larg.
Si përkthyes, më e mira është të ndiqni tekstin në anglisht. Atje ku teksti në anglisht thotë “Digital Rights Management”, përktheni “Rights”. Atje ku teksti në anglisht thotë “Digital Restrictions Management”, përktheni “Restrictions”.
Survejim. Kjo fjalë ka false-friends në gjuhët neolatine, për shkak të rrënjëve të veta latine. Në anglisht, nënkupton pikërisht mbikëqyrjen nga afër të një personi ose organizmi që dyshohet për keqbërje; kjo e bën të survejuarin të pasigurt. Nga ana tjetër, në disa gjuhë romane (në frëngjisht, për shembull), false-friend-i për “surveillance” përdoret më gjerësisht; mund të përshkruajë vëzhgimin dashamirës të bariut mbi dhentë e veta ose të mësuesit ndaj nxënësve.
Kur përktheni “surveillance”, ju lutemi, sigurohuni që nuk përdorni një fjalë që mund të interpretohet si “vëzhgim dashamirës”. Nëse nuk ka një term të specializuar, fjala që nënkupton “spiunim” mund të jetë e përshtatshme në kontekstin e software-it pronësor.
Për më tepër të dhëna, shihni Udhërrëfyes Interpretësh
Përpara instalimit ose përpara parashtrimit të përkthimit tuaj për instalim te gnu.org:
- Bëni të mundur që përkthimi juaj të shqyrtohet nga sa më shumë anëtarë të ekipit tuaj që mundet. Shqyrtimi nga kolegët është kyç për cilësinë e procesit të përkthimit. Ka plot gabime që nuk kapen (veçanërisht kur bëjnë mu), kur përkthyesi bën një shqyrtim të fundit të përkthimit të vet. Një teknikë e zakonshme për të kryer shqyrtime të tilla është dërgimi i përkthimit te lista e postimeve të ekipit: anëtarët mund të komentojnë në pjesë të veçanta, duke i cituar si duhet. Përfundimi është cilësi më e mirë e përkthimit, ngaqë e kaluan më shumë sy.
- Nëse s’ka ekip për gjuhën tuaj, ua tregoni përkthimet tuaja shokëve që s’janë ekspertë software-i të lirë apo GNU-je, për të parë nëse e kuptojnë qartë përkthimin.
Licencim Përkthimesh
Një faqe e përkthyer duhet licencuar njësoj si faqja origjinale. Nëse faqja origjinale përmban një licencë Creative Commons, përdorni të njëjtën licencë Creative Commons. Nëse faqja origjinale thotë se gjendet në pronësi publike, përkthimi duhet të thotë të njëjtën gjë.
Për rregulla të veçanta, shihni Kushte Shpërndarjeje te Doracak për Përkthyesit e GNU Web-it.
Çfarë të Përkthehet
Pranojmë kontribute përkthimi të krejt artikujve në krejt gjuhët, por së pari do të duhej të shfletonit Përparësitë tona në Përkthim Web.
E përsëritim, ju lutemi, bashkërendoni përpjekjet me ekipin e gjuhës suaj, përpara se të filloni çfarëdo pune, për të patur udhëzime të qarta se si të ecet përpara dhe të shmangen përpjeke të përsëdytura.
Doracak Përkthyesish
Mund të doni të lexonit edhe Doracakun e Përkthyesve GNU Web, nëse dëshironi të kuptoni më mirë se si funksionon sistemi ynë i përkthimit. Por, ju lutemi, bisedoni me ekipin së pari; ka shumë të ngjarë që të mos keni nevojë të lexoni atë, pa të nisni të jepni ndihmesë.
Udhërrëfyes për Bashkërendues Ekipi
Sa vijon, përfaqëson një shpjegim të asaj që bën Bashkërenduesi i Ekipit. Përtej sa është përshkruar deri tani, një Bashkërendues Ekipi:
kujdeset që krejt tekstet për botim t’i jenë besnik origjinalit dhe të respektojnë terminologjinë e përdorur në sajtin tonë. Krejt përkthimet e parashtruara nga anëtarë të ekipit apo nga kontribues të rastit merren në shqyrtim dhe miratohen nga Bashkërenduesi i Ekipit përpara se të botohen;
kupton shterueshëm se si funksionon sistemi ynë i përkthimeve dhe di se si të përdorë mjetet që kemi bërë tonat. Në ndarjen vijuese shpjegojmë shkurtimisht se si bëhet kjo.
Mjete
Për përpunimin dhe mirëmbajtjen e përkthimeve përdorim kartela .po (Portable Object). Një kartelë .po përmban tekstin origjinal dhe përkthimin e tij, ndarë në paragrafë. Ja se si e kryejmë:
Kur në sajtin tonë botohet një artikull i ri, GNUN-i, programi që përmendëm në fillim të kësaj faqeje, prodhon prej atij artikulli një kartelë .pot file (gjedhe .po-sh). Që të përkthehet, kartela .pot riemërtohet si .po. Pasi të jetë përkthyer, kartela .po parashtrohet. Pas kësaj, GNUN-i e kontrollon dhe nëse s’ka gabime në kod, versioni HTML i përkthyer i artikullit origjinal botohet vetvetiu te sajti.
Kurdo që ka një ndryshim në artikullin origjinal HTML, kartelat .pot dhe .po riprodhohen nga GNUN-i për të plotësuar ndryshimet, duke treguar qartazi vargjet që janë ndryshuar. Përkthyesit mandej e përditësojnë kartelën .po me përkthimin e vetëm këtyre vargjeve. Kur kartela .po parashtrohet, versioni HTML i përkthimit përditësohet vetvetiu te sajti.
Kartelat .po mund të përpunohen duke përdorur cilindo përpunues kartelash .po.
Shënim: Për disa anëtarë ekipesh ose pjesëmarrës me raste mund të jetë e vështirë ose e papërshtatshme të përkthejnë duke përdorur kartela PO. Sido qoftë, kontribute të parashtruar në format tekst të thjeshtë s’duhen hedhur tej. Për të nxitur përdorimin e kartelave PO, bashkërenduesit mund t’u ofrojnë këtyre kontribuesve një udhërrëfyes të thjeshtë për persona me aftësi të pakta në kompjuter.
Kemi krijuar edhe mjete njoftimi për t’i mbajtur përkthyesit në dijeni
lidhur me ndryshime te faqet origjinale. Sido që të jetë, një Bashkërendues
Ekipi duhet të regjistrohet te lista jonë e postimeve www-commits, që
ta ketë mendjen te faqet që ndryshohen. Mund të përdorni edhe
“make report TEAM=LANG
” nëse keni të instaluar
GNUN-in.
Doracakë Bashkërenduesish
Doracakët vijues shpjegojnë në hollësi procesin e përkthimit që treguam shkurtimisht më sipër. Lypset që një bashkërendues t’i lexojë dhe të familjarizohet me ta:
- Doracak për Përkthyesit e GNU Web-it
- Doracaku GNUnited Nations (GNUN)
- Udhëzime rreth Sajtit GNU: Për Vullnetarët
- Udhëzime mbi Sajtin GNU: Fletë Stilesh HTML
Pasi të keni lexuar krejt këtë faqe, nëse keni ndërmend të punoni vullnetarisht dhe të paraqiteni si Bashkërendues Ekipi për gjuhën tuaj, ju lutemi, vini në dijeni Përgjegjësin e Përkthimeve <web-translators@gnu.org> mbi vendimin tuaj. Fillojani duke lexuar të paktën dy doracakët e parë dhe kërkojini ndihmë Përgjegjësit të Përkthimeve, nëse keni ndonjë pikëpyetje.
Ekipe Përkthimi
Vullnetarët për krijimin e ekipeve të reja janë më shumë se të mirëpritur dhe do të ndihmohen gjatë procesit të të mësuarit.
Në listën vijuese, kodi i gjuhës pasohet nga emri i gjuhës dhe nga emri i bashkërenduesit të ekipit.
ar
- Arabisht (Fayçal Alami - Lyp bashkërendues të ri)az
- Azerbaixhanase (Igrar Huseynov - Lyp bashkërendues të ri)bg
- Bullgarisht (Yavor Doganov - Lyp bashkërendues të ri)th
- Tajlandisht (Lyp bashkërendues të ri)ca
- Katalanase (Miquel Puigpelat - Lyp bashkërendues të ri)cs
- Çekisht (František Kučera)th
- Tajlandisht (Lyp bashkërendues të ri)de
- Gjermanisht (Joerg Kohne - Lypset bashkërendues i ri)el
- Greqisht (Georgios Zarkadas - Lyp bashkërendues të ri)eo
- Esperanto (Ludovic Courtès - Lyp bashkërendues të ri)es
- Spanjisht (Dora Scilipoti, Javier Fernández Retenaga)fa
- Farsish/Persisht (Amin Bandali)th
- Tajlandisht (Lyp bashkërendues të ri)fr
- Frëngjisht (Denis Barbier, Thérèse Godefroy)he
- Hebraisht (Lyp bashkërendues të ri)hr
- Kroatisht (Martina Bebek - Lyp bashkërendues të ri)id
- Indonezisht (Lyp bashkërendues të ri)it
- Italisht (Andrea Pescetti)ja
- Japonisht (NIIBE Yutaka)ko
- Koreane (Jongmin Yoon)ku
- Kurde (Lyp bashkërendues të ri)ml
- Malajalame (Aiswarya Kaitheri Kandoth)tl
- Tagaloge (Lyp bashkërendues të ri)nl
- Holandisht (Tom Uijldert, Justin van Steijn - Lyp bashkërendues të ri)nn
- Norvegjishte Nynorsk (Andreas Tolfsen - Lyp bashkërendues të ri)pl
- Polonisht (Jan Owoc)pt-br
- Portugalishte Brazili (Rafael Fontenelle - Lyp bashkërendues të ri)ro
- Rumanisht (Tiberiu C. Turbureanu - Lyp bashkërendues të ri)ru
- Rusisht (Anatoly A. Kazantsev, Pavel Kharitonov)sk
- Sllovakisht (Dominik Smatana - Lyp bashkërendues të ri)sq
- Shqip (Besnik Bleta)sr
- Serbisht (Strahinya Radich)ta
- Tamile (Sri Ramadoss - Lyp bashkërendues të ri)th
- Tajlandisht (Lyp bashkërendues të ri)tl
- Tagaloge (Lyp bashkërendues të ri)tr
- Turqisht (T. E. Kalaycı)uk
- Ukrainase (Andriy Bandura)zh-cn
- Kineze e Thjeshtuar (Xie Wensheng)zh-tw
- Kineze Tradicionale (Po-Yen Huang)??
- S’gjendet? Atëherë ky rresht është për ju.
Shënim: Anglishtja (en
) është rast i
veçantë. Pjesa dërrmuese e sajtit është shkruar në anglisht, që është
de-facto gjuha e Projektit GNU. Me raste, kemi nevojë të përkthejmë
në anglisht dokumente nga tjetër gjuhë në origjinal. Është mirë të njoftohet
Bashkërenduesi i Ekipit të asaj gjuhe, nëse dilni vullnetar për një gjë të
tillë. Nëse nuk ka bashkërendues ekipi dhe dëshironi të ndihmoni për këtë,
ju lutemi, lidhuni me <web-translators@gnu.org>.