Pse Software-i i Lirë S’do të Duhej të Kishte Pronarë
nga Richard StallmanKontributi i teknologjisë dixhitale të informacionit në botë është bërja më e lehtë të kopjohet dhe të ndryshohet informacioni. Kompjuterat premtojnë ta bëjnë më të lehtë këtë, për të gjithë ne.
Jo gjithkush dëshiron që kjo të jetë më e lehtë. Sistemi i të drejtave të kopjimit u jep programeve software “pronarë”, shumica e të cilëve synojnë t’i mbajnë për vete përfitimet potenciale. Do të donin të ishin të vetmit që mund të kopjojnë dhe ndryshojnë software-in që përdorim ne.
Sistemi i të drejtave të kopjimit lindi dhe u rrit me shtypshkrimin -një teknologji për prodhim masiv kopjesh. Të drejtat e kopjimit i shkojnë për shtat kësaj teknologjie, ngaqë kufizoi vetëm prodhimin masiv të kopjeve. Nuk u hoqi lirinë lexuesve të librave. Një lexues i rëndomtë, që nuk kish shtypshkronjë, mund të kopjonte libra me penë dhe bojë dhe pak lexues u paditën për këtë.
Teknologjia dixhitale është më e zhdërvjellët se sa shtypshkronja: kur informacioni ka formë dixhitale, mund ta kopjoni lehtësisht për ta ndarë me të tjerët. Pikërisht kjo zhdërvjelltësi e bën të papërshtatshme me një sistem si ai i të drejtave të kopjimit. Kjo është arsyeja e masave të shpifura dhe drakoniane gjithnjë në rritje, të përdorura për të zbatuar me detyrim të drejtat e kopjimit për software-in. Shihni këto katër praktika të Shoqatës së Botuesve të Software-it (SPA):
- Propagandë masive që thotë se është gabim të mos u bindesh pronarëve, kur është fjala për të ndihmuar shokun tuaj.
- Ftesë për informatorët të informojnë për shokë të punës dhe kolegë.
- Bastisje (me ndihmën e policisë) në zyra dhe shkolla, gjatë të cila njerëzve u kërkohet se duhet të provojnë se janë të pafajshëm kundrejt kopjimesh të paligjshme.
- Ndjekje penale (nga qeveria e ShBA-ve, me kërkesën e SPA-së) e personave të tillë si David LaMacchia i MIT-it , jo për kopjim software-i (nuk është akuzuar për kopjim të ndonjë të tilli), por thjesht për lënien të paruajtura objektesh kopjimi dhe se nuk ka censuruar përdorimin e tyre.[1]
Krejt të katërta praktikat u ngjajnë atyre të përdorur në ish-Bashkimin Sovjetik, ku çdo makinë fotokopjimi kish një roje për të penguar kopjime të ndalura dhe ku individëve u duhej të kopjonin në fshehtësi informacionin dhe ta kalonin dorë më dorë si samizdat. Sigurisht që kanë një dallim: motivi për kontroll të informacionit në Bashkimin Sovjetik ishte politik; në ShBA motivi është përfitimi. Por ne na prek veprimi, jo motivi. Çfarëdo përpjekje për të bllokuar ndarjen e informacionit me të tjerët, s’ka rëndësi se si, shpie te të njëjtat metoda dhe te e njëjta ashpërsi.
Pronarët kanë disa argumente për t’u dhënë atyre kontroll se si e përdorim ne informacionin:
- Tregimi me gisht.
Pronarët përdorin fjalë përbaltjeje, të tilla si “pirateri” dhe “vjedhje”, si dhe terminologji ekspertësh, të tillë si “pronësi intelektuale” dhe “dëm”, për t’i sugjeruar publikut një vijë të caktuar mendimi - një analogji thjeshtëzuese mes programeve dhe objekteve materiale.
Idetë dhe intuita jonë rreth pronësisë së objekteve materiale lidhet me pyetjen nëse është e drejtë apo jo të t’i merret një objekt dikujt tjetri. Ato nuk zbatohen mbi të bërit e një kopjeje të diçkaje. Por pronarët na kërkojnë megjithatë t’i zbatojmë.
- Stërmadhim.
Pronarët thonë se pësojnë “dëm” ose “humbje ekonomike”, kur përdoruesit kopjojnë vetë programet. Por kopjimi s’ka efekt të drejtpërdrejtë mbi pronarin dhe s’dëmtohet kush. Pronari mund të humbë vetëm nëse personi që bëri kopjen, ndryshe do të kishte paguar për një të tillë prej pronarit.
Një grimë mendje tregon se shumica e personave s’do të kishin blerë kopje. Dhe megjithatë pronarët i përllogaritin “humbjet” e tyre sikur gjithkush do të kishte blerë një kopje. Ky është stërmadhim - për ta thënë me fjalë të buta.
- Ligji.
Pronarët shpesh përshkruajnë gjendjen e tanishme të ligjit dhe dënimet e ashpra me të cilat mund të na kërcënojnë. I nënkuptuar në këtë lloj trajtimi është sugjerimi se ligji i sotëm pasqyron një ide të padiskutueshme morale - në të njëjtën kohë ama, na kërkohet me forcë t’i shohim këto dënime si gjë natyrore, për të cilat s’mund të bëhet me faj askush.
Kjo vijë për të bindur të tjerët s’është konceptuar të përballet me mendimin kritik; është e menduar të përforcojë një shteg mendor të zakonshëm.
Që ligjet nuk përcaktojë të drejtën apo të gabuarën, është gjë elementare. Çdo amerikan duhet ta dijë që, në vitet ’50, ishte kundër ligjit në shumë shtete që një zezak të ulej në radhët përpara në një autobus; por vetëm racistët do të thoshin se ulja atje ishte gabim.
- Të drejta natyrore.
Autorët shpesh pretendojnë një lidhje speciale me programet që kanë shkruar, dhe ecin më tek për të pohuar se, si pasojë, dëshirat dhe interesat e tyre që lidhen me programin kanë më tepër peshë se ato të kujtdo tjetër - ose madje ato të krejt pjesës tjetër të botës. (Zakonisht shoqëritë, jo autorët, kanë pronë të drejtat e kopjimit të software-it, por nga ne pritet që të mos ta dimë këtë mospërputhje.)
Atyre që propozojnë këtë gjë si një aksiomë etike - autori është më i rëndësishëm se ju - mund t’u them vetëm se, unë vetë, një autor i një software-i të njohur, e quaj broçkull.
Por njerëzit, në përgjithësi, ka vetëm pak mundësi të ndjejnë ndonjë lloj simpatie ndaj pretendimesh për të drejta natyrore, për dy arsye.
Një arsye është analogjia e sforcuar me objektet materiale. Kur gatuaj makarona, e kundërshtoj ngrënien e tyre nga dikush tjetër, se kështu s’mbetet gjë për mua. Veprimi i tij më bën dëm saktësisht aq sa i bën mirë atij; pjatën e makaronave mund ta hajë vetëm një nga ne, kështu që pyetja është, cili? Dallimi më i vogël mes nesh mjafton që të prishë baraspeshimin etik.
Por nëse xhironi apo jo, ose ndryshoni apo jo një program që kam shkruar, ju prek juve drejtpërsëdrejti dhe mua vetëm tërthorazi. Nëse i jepni një kopje një shokut tuaj, ju prek ju dhe shokun tuaj shumë më tepër se të më prekë mua. S’duhet të kem pushtetin t’ju them të mos bëni gjëra të tilla. Askush s’duhet ta ketë.
Arsyeja e dytë është se njerëzve u është thënë se të drejtat natyrore për autorët janë një traditë e pranuar dhe e pakundërshtueshme në shoqërinë tonë.
Po të shihet historia, e kundërta është e vërtetë. Ideja e të drejtave natyrore të autorëve qe propozuar dhe hedhur poshtë me vendosmëri, kur po hartohej Kushtetuta e ShBA-ve. Kjo është arsyeja pse Kushtetuta vetëm lejon një sistem të drejtash kopjimi dhe nuk kërkon doemos një të tillë; kjo është arsyeja pse thotë që e drejta e kopjimit duhet të jetë vetëm e përkohshme. Ajo pohon gjithashtu se qëllimi i të drejtës së kopjimit është të promovojë përparimin - jo të shpërblejë autorët. E drejta e kopjimit i shpërblen në një farë mënyre autorët dhe botuesit edhe më tepër, por kjo është menduar si një një mjet për ndryshimin e sjelljes së tyre.
Tradita e njëmendtë e rrënjosur e shoqërisë tonë është se e drejta e kopjimit ndërhyn në të drejtat natyrore të publikut - dhe se kjo mund të përligjet vetëm për të mirën e publikut.
- Ana ekonomike.
Argumenti përfundimtar që jepet për të pasur pronarë të software-it është se kjo shpie në prodhim të më tepër software-i.
Ndryshe nga të tjerët, ky argument të paktën ndërmerr një trajtim legjitim të subjektit. Bazohet në një qëllim të vlefshëm - kënaqjen e përdoruesve të software-it. Dhe nga ana empirike është e qartë që njerëzit do të prodhojnë më tepër të diçkaje, nëse paguhen mirë për ta bërë këtë.
Por argumenti ekonomik ka një të metë: bazohet në hamendësimin se dallimi lidhet me vetëm sa para na duhet të paguajmë. Merr të mirëqenë se prodhimi i software-it është ajo që duam, qoftë kur ka, qoftë kur s’ka pronarë software-i.
Njerëzit e pranojnë me gatishmëri këtë hamendësim, ngaqë pajtohet me përvojën tonë me objektet materiale. Le të marrim një sanduiç, për shembull. Mund të jeni po ashtu në gjendje të merrni një sanduiç të njësojtë, falas ose kundrejt një çmimi. Në qoftë kështu, i vetmi ndryshim është sasia që paguani. Pavarësisht se duhet ta blini ose jo, sanduiçi ka të njëjtën shije, të njëjtën vlerë ushqyese dhe në cilindo rast mund ta hani vetëm një herë. E merrni sanduiçin nga një pronar apo jo, s’mund të ndikojë në gjë tjetër veç sasisë së parave që keni pas kësaj.
Kjo është e vërtetë për çfarëdo lloj objekti material - fakti që ka apo s’ka pronar nuk prek drejtpërsëdrejti faktin çfarë është, ose se ç’mund të bëni, nëse e shtini në dorë.
Por nëse një program ka pronar, kjo prek shumë çfarë është ai dhe se ç’mund të bëni me një kopje, nëse blini një të tillë. Dallimi s’është thjesht punë parash. Sistemi i pronarëve të software-it i nxit pronarët e sistemit të prodhojnë diçka - por jo çfarë i duhet vërtet shoqërisë. She shkakton ndotje etike të padukshme që na prek tërë neve.
Çfarë i duhet shoqërisë? I duhet informacion që është vërtet i passhëm nga qytetarët e saj - për shembull, programe që njerëzit mund t’i lexojnë, ndreqin, përshtatin dhe përmirësojnë, jo thjesht t’i përdorin. Por ajo që japin zakonisht pronarët e software-it është një kuti e zezë të cilën s’mund ta studiojmë apo ndryshojmë.
Shoqëria gjithashtu ka nevojë për liri. Kur një program ka pronar, përdoruesit humbasin lirinë të kontrollojnë pjesë të jetës së tyre.
Dhe, mbi të gjitha, shoqëria ka nevojë të nxisë mes qytetarëve të saj frymën e bashkëpunimit vullnetar. Kur pronarët e software-it na thonë se të ndihmosh fqinjët tanë në një rrugë të natyrshme është “pirateri”, ata ndotin frymën civile të shoqërisë tonë.
Kjo është arsyeja pse themi se software-i i lirë është çështje lirie, jo çmimi.
Argumenti ekonomik për pronarët është i gabuar, por problemi ekonomik është real. Disa njerëz shkruajnë software të dobishëm nga kënaqësia e shkrimit të tij ose nga admirim dhe dashuria; por nëse duam më tepër software se sa shkruajnë këta njerëz, na duhet të mbledhim fonde.
Që nga vitet ’80, zhvilluesit e software-it të lirë kanë provuar metoda të ndryshme për të gjetur fonde, me njëfarë suksesi. S’është nevoja që gjithkush të bëhet i pasur; një palë të ardhura të zakonshme përbëjnë goxha nxitje për të bërë plot punë që sjellin më pak kënaqësi se sa programimi.
Për vite të tëra, derisa anëtarësia shok e bëri të panevojshme, e nxora jetesën nga thellime të software-it të lirë që pata shkruar, për klientë të ndryshëm. Çdo thellim i shtohej versionit standard të hedhur në qarkullim dhe ndaj si përfundim u bë i passhëm nga publiku i përgjithshëm. Klientët më paguan që të mund të punoja mbi thellimet që donin, në vend se mbi veçori që unë mund t’i kisha konsideruar të përparësisë më të lartë.
Disa zhvillues software-i të lirë nxjerrin para duke shitur shërbime asistence. Më 1994-n, Cygnus Support, me rreth 50 të punësuar, vlerësoi se rreth 15 përqind e veprimtarisë së stafit qe zhvillim software-i të lirë - një përqindje e respektueshme për një shoqëri software-i.
Në fillimet e viteve ’90, shoqëri, përfshi, Motorola, Texas Instruments dhe Analog Devices ranë dakord të financonin zhvillimin e përpiluesit GNU C. Shumica e zhvillimit të GCC-së ende kryhet nga zhvillues të paguar. Përpiluesi GNU për gjuhën Ada u financua gjatë viteve ’90 nga Forca Ajrore e ShBA-ve dhe kështu vazhdoi, deri kur u formua një shoqëri posaçërisht për atë qëllim.
Lëvizja e software-it të lirë është ende e vogël, por shembulli i radiove të mbuluara financiarisht nga dëgjuesit, në ShBA tregon se është e mundur të përkrahet një veprimtari e madhe pa e detyruar secilin prej nesh të paguajë.
Si një përdorues kompjuteri sot, mund ta kapni veten duke përdorur një program pronësor. Nëse shoku ju kërkon të bëni një kopje, do të ishte e gabuar të mos pranoni. Bashkëpunimi është më i rëndësishëm se sa të drejtat e kopjimit. Por bashkëpunimi nën rrogoz, në ilegalitet, nuk bën për një shoqëri të mirë. Një person duhet të aspirojë të jetojë një jetë drejt, haptas, me krenari dhe kjo do të thotë t’i thuhet jo software-it pronësor.
E meritoni të jeni në gjendje të bashkëpunoni haptas dhe lirish me persona të tjerë që përdorin software. E meritoni të jeni në gjendje të mësoni se si funksionon software-i dhe t’ua mësoni studentëve tuaj. E meritoni të jeni në gjendje të punësoni programuesin tuaj të parapëlqyer për ta ndrequr, kur dëmtohet.
Meritoni software të lirë.
Poshtëshënim
- Akuzat më pas u gjetën të pavërteta.
Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.