Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
E Drejta Për të Lexuar
nga Richard StallmanNga Udha Për Në Tiko, një koleksion artikujsh rreth pararendësve të Revolucionit Lunarian, botuar në Luna City, më 2096-n.
Për Dan Halbertin, rruga drejt Tikos zuri në gjimnaz—kur Lisa Lenc i kërkoi borxh kompjuterin. I saji qe prishur dhe po të mos gjente hua një tjetër, s’do të kalonte provimin e dimrit. S’kishte tjetër të cilin do të guxonte ta pyeste, veç Danit.
Kjo e vuri Danin në një dilemë. Duhej ta ndihmonte—por po t’i jepte hua kompjuterin e saj, ajo mund të lexonte librat e tij. Veç faktit se mund të përfundoje në burg për shumë vjet, nëse lejoje dikë të lexonte librat e tu, vetë ideja e tronditi në fillim. Si gjithkujt, i kishin mësuar që prej fillores se dhënia e librave të tjerëve ishte e ligë dhe e gabuar—diçka që e bënin vetëm piratët.
Dhe kishte pak mundësi që AMS-ja—Autoriteti i Mbrojtjes së Software-it—të dilte huq për ta kapur. Në orën e software-it, Dani kishte mësuar se çdo libër kishte një monitor të drejtash kopjimi që raportonte Qendrës së Licencimeve kur dhe ku qe lexuar dhe nga kush. (Këtë informacion e përdorin për të kapur piratë leximi, por edhe për t’u shitur tregtuesve profile interesash personale.) Herës tjetër që kompjuteri i tij do të lidhej në internet, Qendra e Licencimeve do ta merrte vesh. Ai, si i zoti i kompjuterit, do të pësonte dënimin më të rëndë—pse nuk çau kryet të parandalonte krimin.
Sigurisht që Lisa jo domosdo kish në mendje të lexonte librat e tij. Mund ta kishte dashur kompjuterin e tij vetëm për të shkruar punimin. Por Dani e dinte se rridhte prej një familjeje të shtresës së mesme dhe me zor përballonte tarifat e arsimimit, lere më pastaj, tarifat e leximit. Leximi i librave të tij mund të qe rruga e vetme se si të diplomohej. E kuptonte tërë këtë; atij vetë i qe dashur të merrte hua për të paguar për krejt artikujt kërkimorë që pat lexuar. (Dhjetë përqind e këtyre tarifave u shkonin kërkuesve që shkruan artikujt; ngaqë Dani ia kish vënë syrin karrierës akademike, mund të shpresonte se artikujt kërkimorë të vetë atij, nëse lexohen shpesh, do të mund t’i sillnin fitime të mjaftueshme për të kthyer këtë borxh.)
Më vonë, Dani do të mësonte se njëherë e një kohë, cilido mund të shkonte në bibliotekë dhe të lexonte artikuj revistash shkencore, madje dhe libra, pa u dashur të paguante. Kish pasur studiues të pavarur që patën lexuar me mijëra faqe pa grante qeveritare për bibliotekë. Por gjatë viteve 90 të shekullit XX, si botuesit komercialë, ashtu edhe ata të revistave jokomerciale patën filluar të aplikonin tarifa për hyrje në to. Pas 2047-s, bibliotekat që ofronin hyrje të lirë publike në literaturë akademike qenë një kujtim i zbehtë.
Kishte rrugë, sigurisht, për t’ia hedhur AMS-së dhe Qendrës së Licencimeve. Në vetvete të paligjshme. Dani kishte pasur një shok klase në lëndën e software-it, Frank Martucci, që kishte shtënë në dorë një mjet të paligjshëm diagnostikimesh dhe e kishte përdorur për t’u hedhur tej kodit të mbikëqyrjes së të drejtave të kopjimit, kur lexonte libra. Po u kishte treguar shumë shokëve për të dhe një prej tyre e shiti te AMS-ja për një shpërblim (studentët e krimbur në borxhe, qe e lehtë t’i joshje në tradhti). Në 2047-n, Franku qe në burg , jo për lexim pirat, por se kishte një diagnostikues.
Dani do të mësonte më vonë se dikur cilido mund të kishte mjete diagnostikuese Madje kish edhe mjete të lira diagnostikuese që qarkullonin si CD ose të shkarkueshme nga interneti. Por përdoruesit e rëndomtë zunë t’i përdorin për të anashkaluar mbikëqyrës të drejtash kopjimi dhe në fund një gjykatës deklaroi se ky qe bërë edhe përdorimi kryesor i tyre në praktikë. Kjo do të thoshte se qenë të paligjshme; zhvilluesit e diagnostikuesve përfunduan në burg.
Kuptohet, programuesit prapëseprapë kishin nevojë për mjete diagnostikimi, por tregtuesit e diagnostikuesve në 2047-n shpërndanin vetëm kopje të numëruara dhe vetëm për programues të licencuar dhe të lidhur zyrtarisht. Diagnostikuesi që përdorte Dani në lëndën e software-it ruhej pas një firewall-i special, ndaj mund të përdorej vetën gjatë ushtrimesh në klasë.
Qe gjithashtu e mundur të anashkaloheshin mbikëqyrësit e të drejtave të kopjimit duke instaluar një kernel të ndryshuar sistemi. Dani do mësonte më në fund rreth kernelash të lirë, madje sisteme të tërë operativë të lirë, që kishin ekzistuar aty nga fundi i shekullit të kaluar. Por jo vetëm që ishin të paligjshëm, si diagnostikuesit—s’mundeshit të instaloni një të tillë, nëse kishit, pa ditur fjalëkalimin e rrënjës në kompjuterin tuaj. Dhe as FBI, as Microsoft s’do t’jua tregonin.
Dani doli në përfundimin se s’mundej thjesht t’i jepte borxh kompjuterin e vet Lizës. Por s’mund të refuzonte ta ndihmonte, sepse e donte atë. Çdo rast për të biseduar me të e mbushte me lumturi. Dhe fakti që ajo zgjodhi atë për të kërkuar ndihmë, kjo mund të donte të thoshte se edhe ajo e donte.
Dani e zgjidhi dilemën duke bërë diçka akoma edhe më të pamendueshme—ia dha borxh kompjuterin dhe i tregoi asaj fjalëkalimin e tij. Kështu, nëse Liza do të lexonte librat e tij, Qendra e Licencimeve do të mendonte se po i lexonte ai. Edhe kjo dhënie borxh, krim ishte, por AMS-ja s’do ta mësonte automatikisht. Do ta mësonin vetëm nëse do ta shiste Liza.
Sigurisht, nëse do ta mësonte ndonjëherë shkolla se i kishte dhënë Lizës fjalëkalimin e tij, ky do të ishte fundi për të dy, si studentë, pavarësisht se përse e kishte përdorur ajo. Rregulli i shkollës qe që çfarëdo ngatërrimi me mjetet e tyre të mbikëqyrjes së kompjuterave të studentëve, përbënte bazë për veprim disiplinor. S’kishte rëndësi nëse bëtë apo jo diçka të dëmshme—faji qe vështirësimi i kontrollit mbi ju nga administratorët. Merrej e mirëqenë se bënit diçka tjetër të ndaluar dhe s’ishte nevoja të dihej se çfarë.
Për këtë, studentët zakonisht nuk përjashtoheshin—jo drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, atyre u ndalohej përdorimi i sistemeve kompjuterike të shkollës dhe kështu do të ngelnin në të gjitha lëndët.
Më vonë, Dani do të mësonte se ky lloj rregulli universiteti kish filluar vetëm në vitet ’80 të shekullit XX, kur studentët e universiteteve filluan të përdorin në masë kompjuterat. Më parë, universitetet përdornin tjetër mënyrë për disiplinimin e studentëve; dënonin veprimtari që qenë të dëmshme, jo thjesht ato për të cilat mund të lindte dyshim.
Liza nuk e spiunoi Danin te AMS-ja. Vendimi i tij për ta ndihmuar, shpuri në martesën e tyre dhe i bëri edhe të shqyrtonin ç’u ishte mësuar mbi piraterinë si fëmijë. Çifti filloi të lexonte mbi historikun e të drejtave të kopjimit, mbi Bashkimin Sovjetik dhe kufizimet e tij mbi kopjimin dhe madje edhe Kushtetutën origjinale të Shteteve të Bashkuara. U shpërngulën në Luna, ku gjetën të tjerë që kishin ikur prej krahut të gjatë të AMS-së. Kur filloi Revolta e Tikos më 2062-shin, e drejta universale për të lexuar shpejt u bë një nga synimet e saj kryesore.
Shënime Autori
-
Kjo histori është kinse një artikull historik që do të shkruhet në të ardhmen nga dikush tjetër, që përshkruan rininë e Dan Halbertit nën një shoqëri shtypëse ndërtuar nga forca të padrejta që përdorin “piraterinë” si propagandë. Ndaj përdor terminologjinë e asaj shoqërie. Jam përpjekur ta projektoj në të ardhmen, si diçka shtypëse më të dukshme. Shihni “Pirateri”.
-
Kufizimet e zbatuara përmes kompjuterave mbi dhënien hua ose leximin e librave (dhe llojesh të tjera veprash të botuara) njihen si ADK, shkurtim për “Administrim Dixhital Kufizimesh”. Për të eliminuar ADK-në, Free Software Foundation ka krijuar fushatën Defective by Design. Ju kërkojmë ta përkrahni.
Edhe Electronic Frontier Foundation, një ent më vete, jo i lidhur me Free Software Foundation, bën fushatë kundër ADK-së.
Shënimi vijues është përditësuar disa herë, që nga hera e parë e botimit të artikullit.
-
Beteja për të drejtën për të lexuar është duke u zhvilluar tashmë. Edhe pse mund të duhen 50 vjet që liritë tona të dikurshme të humbin në harresë, shumica e ligjeve dhe praktikave specifike shtypëse të përshkruara më sipër janë propozuar tashmë; disa janë bërë pjesë ligjesh në ShBA dhe gjetkë. Në ShBA, 1998 Digital Millennium Copyright Act (DMCA) dha mbështetje shprehimisht nga qeveria të kufizimeve të zbatuara përmes kompjuterit, të njohura si ADK, duke e bërë krim shpërndarjen e programeve që zhbllokojnë ADK-në. Bashkimi Evropian imponoi kufizime të ngjashme përmes një direktive mbi të drejta kopjimi, më 2001-shin, në një formë jo aq të ashpër.
ShBA përpiqen për të imponuar rregulla të tilla ndaj pjesës tjetër të botës përmes traktatesh të së ashtuquajturës “tregti e lirë”. Traktate supremacie biznesi është term më i përshtatshëm për to, ngaqë janë konceptuar për të siguruar dominim biznesi mbi shtete demokratike në emërtesë. Politika e DMCA-së për kriminalizimin e programeve që asgjësojnë ADK-në është një nga shumë politika jo të drejta që këto traktate imponojnë përgjatë një game të gjerë fushash.
ShBA kanë imponuar domosdoshmëri DMCA-je mbi Australinë, Panamanë, Kolumbinë dhe Korenë e Jugut, përmes marrëveshjesh dypalëshe dhe mbi vende të tilla si Kosta Rika përmes një tjetër traktati, CAFTA. Obama e ka përshkallëzuar fushatën me dy traktate të rinj të propozuar, TPP dhe TTIP. TPP-ja do të impononte DMCA-në, tok me të tjera gjëra të shtrembra, mbi 12 vende të Oqeanit Paqësor. TTIP-ja do të vendoste kufizime të ngjashme mbi Evropën. Të tëra këto traktate duhen mposhtur, ose shfuqizuar.
Deri edhe World Wide Web Consortium ka rënë nën hijen e industrisë së të drejtave të kopjimit; është në zgrip të miratimit të një sistemi ADK si pjesë zyrtare e specifikimeve web.
-
Software-i jo i lirë priret të ketë veçori abuzive të shumë llojeve, çka shpie në përfundimin se një programi të lirë s’mund t’i zini kurrë besë. Duhet të ngulim këmbë vetëm për software-in e lirë (libre), dhe të hedhim poshtë programet jo të lira.
Me Windows Vista, Microsoft-i pranoi se kish ndërtuar një deriçkë të pasme: Microsoft- mund ta përdorë për të instaluar forcërisht “përmirësime” software-i edhe kur përdoruesit mendojnë se bëhet fjalë për përkeqësime. Mundet të urdhërojë gjithashtu krejt makinat që xhirojnë Vista të refuzojnë një përudhës të caktuar pajisjeje. Qëllimi kryesor i shtrëngimit të vidave përdoruesve nga Vista qe të imponohej ADK të cilin përdoruesit të mos munden ta anashkalojnë. Sigurisht, Windows 10 s’është më mirë.
-
Një nga idetë e rrëfimit, s’qe propozuar realisht para 2002-shit. Kjo është ideja se FBI dhe Microsoft do të mbajnë fjalëkalimet rrënjë për kompjuterat tuaj personalë dhe s’do t’ju lënë t’i keni.
Përkrahësit e kësaj skeme dhanë emra versionesh të hershëm, të tillë si “trusted computing” dhe “Palladium”, por, siç edhe u vu në jetë më në fund, quhet “secure boot”.
Ajo çka mban Microsoft-i s’është saktësisht një fjalëkalim në kuptimin tradicional; askush s’shtyp të tillë në një terminal. Në fakt, bëhet fjalë për një nënshkrim dhe një kyç fshehtëzimi që i përgjigjet një kyçi të dytë të depozituar në kompjuterin tuaj. Kjo i lejon Microsoft-it dhe potencialisht cilitdo sajti që bashkëpunon me Microsoft-in, kontrollin përfundimtar mbi atë që përdoruesi mund të bëjë në kompjuterin e tij. Microsoft-i ka gjasa ta përdorë këtë kontroll në emër të FBI-së, kur i kërkohet: tregon tashmë të meta sigurie NSA në Windows, për t’i shfrytëzuar.
Nisja e sigurt mund të sendërtohet në një mënyrë që i lejon përdoruesit të specifikojë kyçin e nënshkrimit dhe të vendosë se çfarë software-i të nënshkruhet me të. Në praktikë, PC-të e konceptuar për Windows 10, bartin vetëm kyçin e Microsoft-it dhe nëse i zoti i makinës mundet apo jo të instalojë çfarëdo sistemi tjetër (bie fjala, GNU/Linux), është nën kontrollin e Microsoft-it. Këtë ne e quajmë nisje të kufizuar.
-
Më 1997-në, kur ky artikull u botua për herë të parë, AMS-ja po kërcënonte furnizues të vegjël shërbimesh internet, duke u kërkuar të lejonin AMS-në të mbikëqyrte krejt përdoruesit. Shumica e ISP-ve u dorëzuan, kur u kërcënuan, ngaqë s’paguanin dot të ndesheshin në gjykatë. Një ISP, Community ConneXion në Okland, Kaliforni, e hodhi poshtë kërkesën dhe u padit faktikisht. AMS-ja hoqi dorë nga padia më vonë, për DMCA-ja i dha fuqinë që kërkonte.
AMS, që faktikisht është shkurtim i Shoqërisë së Publikuesve të Software-it, është zëvendësuar në rolin e saj prej polici nga Business Software Alliance. BSA-ja, sot, s’është një forcë detyruese zyrtare; nga ana jozyrtare ama, vepron si e tillë. Duke përdorur metoda të ngjashme me ish-Bashkimin Sovjetik, i fton njerëzit të bëhen informatorë të kolegëve dhe shokëve. Një fushatë terrori nga BSA-ja në Argjentinë më 2001-shin bëri kërcënime paksa të maskuara se njerëz që ndajnë software me të tjerët duheshin përdhunuar në burg.
-
Rregullat e sigurisë në universitete, të përshkruar më sipërm s’janë imagjinare. Për shembull, një kompjuter në një universitet diku në zonën e Çikagos, shfaqte këtë mesazh gjatë hyrjes në llogarinë e përdoruesit:
Ky sistem është vetëm për përdorim nga përdorues të autorizuar. Individët që e përdorin këtë sistem kompjuterash pa autorizim, ose duke tejkaluar autorizimin përkatës, janë subjekt i mbikëqyrjes dhe vëzhgimit të krejt veprimtarive të tyre në këtë sistem nga personeli i sistemit. Gjatë vëzhgimit të individëve që e përdorin jo si duhet këtë sistem, ose gjatë mirëmbajtjes së sistemit, mund të vëzhgohen edhe veprimtaritë e përdoruesit të autorizuar. Cilido që përdor këtë sistem jep shprehimisht pranimin e këtij vëzhgimi dhe këshillohet se, nëse një vëzhgim shfaq evidencë të mundshme veprimtarie të paligjshme ose cenim të rregullores së universitetit, personeli i sistemit mund t’ua japë faktet e veprimtarisë së paligjshme, ose cenimit, autoriteteve të universitetit dhe/ose zyrtarëve të mbrojtjes së ligjit.
Ky është një interpretim interesant i Amendamentit të Katërt: bëji presion kujtdo të pranojë, paraprakisht, të heqë dorë nga të drejtat që garanton amendamenti.
Lajme të Liga
Beteja për të drejtën për të lexuar është duke ecur kundër nesh deri sot. Armiku është i organizuar, kurse ne s’jemi.
E-librat komercialë të së sotmes asgjësojnë liritë tradicionale të lexuesit. Produkti i Amazon-ës për lexues e-librash, të cilin unë e quaj “Amazon Swindle”, ngaqë është konceptuar t’u heqë me batakçillëk lexuesve liritë tradicionale të lexuesve të librave, xhiron nën software me disa funksione oruelliane të faktuara. Secili prej tyre ka hak hedhjen poshtë tërësisht të produktit:
Spiunon mbi gjithçka që përdoruesi bën: raporton se cilin libër po lexon përdoruesi dhe cilën faqe dhe raporton kur përdoruesi nënvizon tekst dhe çfarëdo shënimesh që bën përdoruesi.
Përmban ADK, i cili është konceptuar për të bllokuar shkëmbim kopjesh mes përdoruesve.
Ka një deriçkë të pasme, përmes të cilës Amazon mund të fshijë së largëti çfarëdo libri. Më 2009-n, fshiu mijëra kopje të “1984”-s të Xhorxh Oruellit.
Në rast se tërë kjo s’është edhe aq oruelliane, ka një deriçkë të pasme universale përmes të cilës Amazon mund të ndryshojë së largëti software-in dhe të fusë në të çfarëdo formë tjetër anësh të shpifura.
Edhe shpërndarja e e-librave nga Amazon është tiranike. Ajo identifikon përdoruesin dhe regjistron çfarë librash merr përdoruesi. Kërkon gjithashtu doemos që përdoruesi të pajtohet me një kontratë antisociale se s’do t’u japin kopje të tjerëve. Vetëdija më thotë se, nëse do të isha pajtuar me një kontratë të tillë, e keqja më e vogël do të ishte të sfidohej dhe të jepja kopje; por, për të qenë tërësisht i mirë, s’do të pajtohesha, që në fillim. Ndaj, nuk pranoj të pajtohem me kontrata të tilla, qoftë për software, për e-libra, për muzikë, apo për çfarëdo tjetër.
Nëse duam të ndalim lajmet e liga dhe të krijojmë lajme të mbara, na duhet të organizohemi dhe të luftojmë. Pajtohuni te fushata Defective by Design e FSF-së, që të jepni ndihmë. Për të përkrahur punën tonë më në përgjithësi, mund të bëheni pjesë e FSF-së. Ka gjithashtu një listë rrugësh për të marrë pjesë në punën tonë.
Referenca
- “Studimi” i administratës: Information Infrastructure Task Force, Intellectual Property [sic] and the National Information Infrastructure: The Report of the Working Group on Intellectual Property [sic] Rights (1995).
- An explanation of the White Paper: The Copyright Grab, Pamela Samuelson, Wired, 1 janar 1996.
- Sold Out, James Boyle, New York Times, 31 mars 1996.
- Të dhëna Publike apo të Dhëna Private, Dave Farber, Washington Post, 4 nëntor 1996.
- Bashkimi për Përkatësinë Publike—një ent që synon t’i bëjë qëndresë dhe të prapësojë shtrirjen e tepruar të fuqive të së drejtës së kopjimit dhe patentave.
Ky artikull u botua në numrin e shkurtit të 1997-s të Communications of the ACM (Volumi 40, Numri 2).
Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.
Bëhuni pjesë e listës tonë të postimeve mbi rreziqet e e-librave.