Shmangie Kompromisesh Rrënuese
nga Richard StallmanNjëzetepesë vjet më parë, më 27 shtator, 1983, njoftova një plan për të krijuar një sistem operativ tërësisht të lirë, të quajtur GNU - sipas “GNU's Not Unix”. Si pjesë e përvjetorit të njëzetepestë të sistemit GNU, kam shkruar këtë artikull se si bashkësia jonë mund të shmangë kompromise rrënuese. Përtej shmangies së kompromiseve të tilla, ka mjaft rrugë me të cilat mund të ndihmoni GNU-në dhe software-in e lirë. Një rrugë është t’i thuhet jo përdorimit të programeve jo të lira apo një dreqshërbimi internetor sa më shpesh që mundeni, ose qoftë edhe një herë.
Lëvizja e software-it të lirë synon për një ndryshim shoqëror: për ta bërë krejt software-in të lirë, që kështu krejt përdoruesit e software-it të jenë të lirë dhe të mund të jenë pjesë e një bashkësie bashkëpunimi. Çdo program jo i lirë i jep zhvilluesit të tij pushtet të padrejtë mbi përdoruesit. Synimi ynë është t’i japim fund kësaj padrejtësie.
Rruga për te liria është udhë e gjatë. Do të duhen shumë hapa dhe shumë vite për të arritur në një botë në të cilën të jetë normale për përdoruesit e software-it të lirë të kenë liri. Disa nga këto hapa janë të zorshëm dhe duan sakrificë. Disa prej tyre bëhen më të lehtë, nëse bëjmë kompromise me njerëz që kanë synime të tjera.
Ndaj, Free Software Foundation bën kompromise - madje dhe të mëdha. Për shembull, bëmë kompromise mbi kushtet e lidhura me patentat në versionin 3 të licencës GNU General Public License (GNU GPL), që kështu shoqëri të mëdha të kontribuojnë dhe të shpërndajnë software të mbuluar nga GPLv3, duke sjellë kështu disa patenta nën efektin e këtyre kushteve.
Synimi i The Lesser GPL është një kompromis: e përdorim në disa biblioteka të lira të caktuara për të lejuar përdorimin e tyre në programe jo të lira, ngaqë mendojmë se ndalimi ligjor i kësaj në fakt do t’i shpjerë zhvilluesit drejt bibliotekash pronësore. Pranojmë dhe instalojmë kod në programe GNU për t’i bërë të funksionojnë me programe të rëndomtë jo të lirë, si dhe dokumentojmë dhe publikojmë këtë në rrugë që nxisin përdoruesit e të fundit të instalojnë të parin, por jo anasjelltas. Përkrahim fushata specifike me të cilat pajtohemi, edhe pse nuk pajtohemi plotësisht me grupe pas tyre.
Por hedhim poshtë disa kompromise, edhe pse mjaft të tjerë në bashkësinë tonë janë gati t’i bëjnë. Për shembull, vëmë emrin tonë në krah vetëm të shpërndarjeve GNU/Linux që e kanë rregull të mos përfshijnë software jo të lirë ose që i shpien përdoruesit të instalojnë të tillë. Dalja në krah të shpërndarjeve jo të lira do të ishte një kompromis rrënues.
Kompromiset janë rrënuese nëse do të punonin kundër synimeve tonë, në perspektivë afatgjatë. Kjo mund të ndodhë ose në nivelin e ideve, ose në atë të veprimeve.
Në nivelin e ideve, kompromise rrënuese janë ato që përforcojnë premisat që kërkojmë të ndryshojmë. Synimi ynë është një botë ku përdoruesit e software-it janë të lirë, por ende sot shumica e përdoruesve të kompjuterit as që njohin një problem lirie. Kanë bërë të tyret vlera të “konsumatorit”, që do të thotë se e gjykojnë çfarëdo programi vetëm nga karakteristikat praktike, bie fjala, çmimi ose lehtësia që ofron.
Libri klasik i Dale Carnegie-s për të ndihmuar veten, Si të Bëni Shokë dhe të Ndikoni Te Njerëzit, këshillon se rruga më efikase për të bindur dikë të bëjë diçka është t’i paraqiten argumente tërheqëse për vlerat e tij. Ka rrugë përmes të cilave të bëhemi tërheqës kundrejt vlerash konsumi, tipike në shoqërinë tonë. Për shembull, software-i i lirë i marrë falas mund t’u kursejë para përdoruesve. Mjaft programe të lira janë gjithashtu të leverdishëm dhe të qëndrueshëm. Përmendja e këtyre përfitimeve praktike ka dalë me sukses në bindjen e mjaft përdoruesve të adoptojnë programe të ndryshme të lira, disa prej të cilave tanimë janë mjaft të suksesshme.
Nëse e shumta e asaj që doni të arrini, është bërja e më shumë vetëve të përdorin ca programe të lira, mund të vendosni të mos flisni mbi konceptin e lirisë dhe të përqendroheni vetëm te përparësitë praktike parë nga këndvështrimi i vlerave të konsumit. Kjo është ajo që bën termi “burim i hapët” dhe retorika përshoqëruar atij.
Ky trajtim mund të na shpjerë vetëm pjesërisht te synimi i lirisë. Njerëzit që përdorin software të lirë vetëm pse është me leverdi, do të rrinë në të aq gjatë sa është më me leverdi. Dhe s’do të gjejnë arsye pse të mos përdoren programe pronësore të leverdishme tok me të.
Filozofia e burimit të hapët presupozon dhe përpiqet të jetë tërheqëse për vlera të konsumit, i afirmon dhe i përforcon ato. Kjo është arsyeja pse nuk mbrojmë burimin e hapët.
Për të rrënjosur një bashkësi plotësisht të lirë dhe për shumë kohë, na duhet të bëjmë më shumë se sa të kemi njerëz që përdorin ca software të lirë. Na duhet të përhapim idenë e gjykimit të software-it (dhe gjërave të tjera) sipas “vlerave të qytetarit”, bazuar në faktin se respekton a jo lirinë dhe bashkësinë e përdoruesve, jo thjesht në lehtësitë që sjell. Atëherë njerëzit s’do të bien në kurthin e një programi pronësor që ka si karrem një veçori tërheqëse, të leverdishme.
Për të promovuar vlera qytetarie, na duhet të flasim për to dhe të tregojmë se si janë themeli i veprimeve tona. Duhet të hedhim poshtë kompromisin e Dale Carnegie-së që do të ndikonte veprimet e tyre përmes daljes në krah të vlerave të konsumit.
Kjo jo për të thënë se s’mund të citojmë fare përparësi praktike - mundemi dhe e bëjmë. Problem bëhet vetëm kur përparësia praktike zë kryet e vendit dhe e kalon lirinë në prapaskenë. Ndaj, kur citojmë përparësitë praktike të software-it të lirë, përsërisim shpesh se ato janë arsye thjesht shtesë, dytësore për ta parapëlqyer.
Nuk mjafton t’i bëjmë fjalët tona të puqen me idealet tona; me to duhet të puqen edhe veprimet tona. Ndaj edhe duhet të shmangim kompromise që përfshijnë kryerjen ose legjitimimin e gjërave që synojmë t’i heqim qafe.
Për shembull, përvoja tregon se mund të tërhiqni disa përdorues te GNU/Linux, nëse përfshini disa programe jo të lira. Kjo mund të thoshte një aplikacion të bukur jo të lirë, që do të bjerë në sy të ca përdoruesve, ose një platformë programimi jo të lirë, bie fjala Java (dikur), ose Flash (ende), ose një përudhës jo të lirë pajisjeje që lejon funksionim të ca modeleve hardware.
Këto kompromise janë tunduese, por minojnë. Nëse shpërndani software jo të lirë, ose i drejtoni njerëzit drejt tij, do të shihni se është e zorshme të thoni “Software-i jo i lirë është padrejtësi, problem shoqëror dhe duhet t’i japim fund”. Dhe edhe nëse vazhdoni t’i thoni këto fjalë, veprimet tuaja do t’u heqin themelin atyre.
Problemi këtu nuk është nëse duhet të jenë të aftë apo duhen lejuar njerëzit të instalojnë software jo të lirë; një sistem për përdorim të përgjithshëm i bën të aftë dhe u lejon përdoruesve të bëjnë ç’të duan. Problemi është i udhëheqim apo jo përdoruesit drejt software-it jo të lirë. Se ç’bëjnë ata vetë, është përgjegjësi e tyre; se ç’bëjmë ne për ta dhe se për ku i drejtojmë, është e jona. S’duhet t’i shpiem përdoruesit drejt software-i pronësor, si të qe ky zgjidhja, ngaqë software-i pronësor është problemi.
Një kompromis rrënues s’është thjesht ndikim i dëmshëm mbi të tjerët. Mund të shtrembërojë vlerat tuaja, gjithashtu, përmes disonancës konjitive. Nëse keni disa vlera, por veprimet tuaja lënë të nënkuptohen të tjera vlera, që bien ndesh me të parat, gjasat janë që të ndryshoni vlerat tuaja ose veprimet tuaja që të zgjidhet kundërshtia. Kështu, projekte që flasin vetëm për përparësi praktike, ose i shpien njerëzit drejt ndonjë software-i jo të lirë, thuajse përherë shmangin qoftë edhe të sugjerojnë se software-i i lirë është jo etik. Për përqafuesit e këtij, si dhe për publikun, ata përforcojnë vlerat e konsumit. Ne duhet t’i hedhim tej këto kompromise, nëse duam t’i mbajmë të palëkundurat vlerat tona.
Nëse doni të kaloni në software-in e lirë pa komprometuar synimin e lirisë, hidhni një sy te pjesa e FSF-së për burime. Aty radhiten hardware dhe formësime makinash që funksionojnë në software-in e lirë, shpërndarje GNU/Linux tërësisht të lira, për instalim, si dhe mijëra paketa software-i të lirë që funksionojnë në një mjedis 100 përqind software-i të lirë. Nëse doni të ndihmoni bashkësinë të qëndrojë në udhën e lirisë, një rrugë e rëndësishme është të mbrohen publikisht vlerat e qytetarisë. Kur njerëzit diskutojnë ç’është e mirë a e keqe, ose ç’të bëhet, përmendni vlerat e lirisë dhe bashkësisë dhe debatoni duke u nisur prej tyre.
Një rrugë që ju lejon të ecni më shpejt s’është më e mirë, nëse shpie në vend të gabuar. Kompromisi është thelbësor për të arritur një synim ambicioz, por bëni kujdes me kompromiset që shpien larg synimit.
Për një pikëpamje të ngjashme, në një fushë tjetër të jetës, shihni “Nudge” is not enough.