Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Udha për te GNU

Richard Stallman-i përshkruan ndodhitë që e përgatitën të luftojë për një botë software-i të lirë.

Diku aty nga prilli i 1983-shit, Stallman-i shkroi një hyrje për Hacker-i i Lumtur - Një Fjalor Slangu Kompjuterash. Në të ai flet rreth përvojës së tij në MIT AI Lab dhe Luftërat e Makinave Lisp. Jep gjithashtu hollësi se si u zhvillua Emacs-i. Teksti më poshtë është një version i përditësuar prej fundit të 1983-shit, pak pas njoftimit fillestar për GNU-në.


Vallëzim Folk në Sallën e Makinave, e enjte më 8 të darkës
Ejani të Kremtojmë Kënaqësinë e Programimit,
me Kompjuterat Më të Kënaqshëm të Botës.
Ishim vetëm pesë ne që vallëzuam, por u kënaqëm.

Takimi im i parë me kompjuterat qe me doracakët për gjuhë të ndryshme që i huaja nga kujdestarët në kamp. Shkruaja programe në letër thjesht nga mahnitja me konceptin e programimit. Më duhej të sforcohesha të mendoja se ç’do të bënin programet, ngaqë s’kisha asgjë që të më jepte një synim, hiq faktin që doja të programoja. Shkrova programe që bënin mbledhjen e fuqisë në kub të një tabele numrash, në disa gjuhë asembler, në kohë të ndryshme.

Kompjuterat e parë që ndesha qenë IBM 360, në Qendrën Shkencore të IBM-së në Nju Jorok, kur isha nxënës në të mesme. Atje më hyri shpejt në qejf hartimi i gjuhëve, sisteme operative dhe përpunues tekstesh. I punësuar gjatë verës për të shkruar një program të mërzitshëm analize numerike në Fortran, e befasova bosin tim duke e përfunduar pas nja dy javësh dhe shpenzova pjesën tjetër të verës duke shkruar një përpunues tekstesh në APL.

Shfaqa shpejt edhe një mungesë nderimi si duhet për autoritetin. Krejt qendrës iu ndalua hyrja në kompjuterin IBM të ndërtesës dhe na u desh të përdorim lidhje të ngadalta telefonike me Qendrën Shkencore të Kembrixhit. Një ditë prej ditësh, një drejtues i IBM-së erdhi të na fliste rreth qendrave të ndryshme shkencore IBM që po ngrinin dhe e mbylli me fjalët “Pa dyshim që ju të tërë e njihni punën e rëndësishme që po bëhet këtu.” Unë e pyeta “Nëse puna jonë është kaq e rëndësishme, pse s’mund ta përdorim më kompjuterin në këtë ndërtesë?” Pas takimit, shokët e mi më thanë se donin të thoshin po këtë gjë, por kishin frikë nga hakmarrjet! Pse? Sigurisht që s’më ndodhi gjë si pasojë. Dukes se kishin mësuar huqin e frikësimit para autoritetit, edhe pse s’ishin të kërcënuar faktikisht. Paq për autoritetin. Vendosa të mos e përvetësoj këtë mësim.

Laboratori i Inteligjencës Artificiale

Qendra Shkencore e Nju Jorkut u mbyll mu në kohën kur duhet të hidhesha në të mesme. Pashë se Qendrës Shkencore të Kembrixhit s’i interesoja, çka qe shumë me fat për mua, ngaqë më kurseu mbetjen në padije për kompjuterat shumë më superiorë jo IBM, veçanërisht PDP-10 dhe PDP-11 nga Digital. I ndërgjegjshëm tashmë për faktin se jo krejt kompjuterat qenë njësoj zbavitës, nuhasja lart e poshtë për ata më të kënaqshmit dhe i gjeta te Laboratori i Inteligjencës Artificiale të MIT-it. Atje, një grusht njerëzish që e quanin veten “hackers”, patën krijuar sistemin e tyre me ndarje kohe, Incompatible Timesharing System, i hartuar posaçërisht për lehtësimin e hack-imit. ITS dhe krejt programet e dobishme (përfshi programin DDT të diagnostikimeve, i cili qe gjithashtu edhe “shell”-i i quajtur HACTRN) mirëmbaheshin mu atje. Unë mbërrita duke kërkuar për dokumentim të sistemit të tyre (sa naive nga ana ime). Ika pa ndonjë dokumentim, ngaqë s’kishte të tillë, por me një punë vere, në vend të tij. U punësova nga inxhinier/përgjegjës, Russel Noftsker—për ironi, i njëjti person që më vonë do të luante një rol parësor në rrënimin e laboratorit. Punësimi u bë permanent dhe vazhdon deri sot.

Pasi dëshmova se isha kompetent, pata zotërim lirisht të krejt sistemit operativ, një mundësi për të nxënë dhe për të qenë prodhimtar, të cilën pak laboratorë dhe as edhe një shoqëri do të ma jepte. Qëndrimi i hacker-ave ishte “Nëse mund të bëni punë të mbarë, jepini që tani—cilido qofshi.

Me Laboratorin e IA-së si kut krahasimi, arrita të shoh se sa pak liri dhe se sa shumë vështirësi të panevojshme kishin njerëzit gjetkë. Në IBM, si dhe në Harvard, pushteti qe shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Pak vetë jepnin urdhra dhe pjesa tjetër (nëse s’qenë unë) merrnin urdhra. Profesorët do të kishin terminalet e tyre, që zakonisht qenë pa punë, teksa pjesa tjetër e jona shpesh s’punonim dot ngaqë kishte shumë pak terminale të përbashkët. Njerëzit do të pyesnin, “Jeni të autorizuar ta bëni këtë”, në vend se, “Di si ta bësh këtë? A është konstruktive?” Një punë do ta bënin me një torollak të autorizuar se sa me një gjeni të panjohur. Reshta së frekuentuari laboratorin e kompjuterave në Harvard, ngaqë MIT ishte shumë më mirë. (Po studioja për fizikë; për një hacker natyror s’kishte nevojë të ndiqte mësime formale mbi kompjuterat, ngaqë programet që nxisin hack-imin mes hacker-ash të mbarë janë stërvitje më e mirë).

Qëndrimi i laboratorit IA qe i ndryshëm. Kishim bërë traditë të hapnim dyert e cilitdo profesor që guxonte të kyçte terminalin në zyrën e vet. Do të ktheheshin për të gjetur derën hapur dhe një shënim ku thuhej, “Ju lutemi, mos na bëni të humbim kohë për shkyçjen e këtij terminali.” Terminalet janë këtu për t’u përdorur dhe shkojnë dëm, kur rrinë pa punë. E shtrimë të njëjtin qëndrim mbi kohën për kompjuterat. PDP-10 ekzekuton 300 mijë udhëzime çdo sekondë. Nëse të tilla s’kërkon ndonjë përdorues, i shpenzon duke numëruar se sa gjatë s’kishte asgjë të dobishme për të bërë. Është më mirë për to të përdoren nga cilido për çfarëdo qëllimi konstruktiv, se sa të venë dëm. Ndaj lejuam “turistë”—përdorues vizitorë—për sa kohë s’ngatërroheshin nëpër këmbë. I nxitëm të mësonin rreth sistemit, duke parë për ata pak që do të bëheshin hacker-a dhe pjesë e jona. Ka të paktën dy anëtarë personeli të laboratorit dhe një profesor MIT që ia nisën me këtë rrugë.

Pashë se sistemet e kompjuterave pasqyronin këto dallime në qëndrimet mes enteve. Për shembull, shumica e sistemeve të kompjuterave janë hartuar me veçori sigurie që u lejojnë pak vetëve t’i thonë gjithkujt tjetër se ç’mund të bëjnë dhe ç’jo. Pakica ka fuqinë dhe askush s’mund ta vërë në diskutim. Ne hacker-at këtë e quanim “fashizëm”, ngaqë sisteme të tillë kompjuterash kanë përnjëmend organizimin shoqëror të shteteve totalitare policore.

Me qëllim që t’u pengohet përdoruesve çaktivizimi i sigurisë, rreth programeve të sistemit duhet ngritur një fortesë. Çdo mbërritje e mundshme përmes mureve duhet ruajtur, përndryshe masat e shtypura do të hyjnë brenda. Del ama të jetë e pamundur për kompjuterin të bëjë dallimin mes kësi hyrjesh përmes mureve dhe mjaft veprimtarish të tjera që njerëzit kanë nevojë të bëjnë shpesh, për të kryer punën e tyre. Ngaqë ruajtja e sigurisë është më e rëndësishme se sa kryerja e punës, tërë veprimtaritë e tilla janë të ndaluara. Përfundimi është që ju duhet t’i kërkoni shpesh dikujt nga elita të bëjë diçka për ju, të cilën s’ju lejojnë ta bëni vetë. Nëse ai s’ju ka me sy të mirë ju apo çfarëdo qoftë rreth jush, ose nëse do ryshfet, mund t’jua bëjë punën dyfish më të vështirë, ngaqë vërtet duhej të ishte pa ndonjë mundim.

Merret e mirëqenë se vetëm elita do të lejohet të ndryshojë apo instalojë programe sistemi, veç nëse të varurit fusin një “kalë troje” për të çaktivizuar sigurinë. (Ky kufizim vihet në jetë duke përdorur “mbrojtje kartelash”.) Pikërisht e kundërta e laboratorit IA, ku një turist që punonte me programe të sistemit do të thoshte se kish nisur ta bënte veten të dobishëm dhe të bëhej një hacker. Sipas rrugës së tyre, për përmirësimin e sistemit mund të kontribuojnë më pak vetë dhe përdoruesit mësojnë një qëndrim fatalist, dëshpërues përballë mungesave të sistemit. Nxënë perspektivën mendore të një skllavi.

Në një vend si Digital Equipment, qoftë edhe personave puna e të cilëve është të përmirësojnë sistemi u duhet të ndeshen me kaq shumë burokraci saqë efikasiteti dhe morali i tyre përgjysmohen. Siç tha Robert Townsend-i në “Up the Organization”, shumica e institucioneve i demoralizojnë punonjësit e tyre dhe çojnë dëm potencialin e tyre duke i penguar ta bëjnë punën mirë. Siguria dhe privilegjet janë rruga se si kjo bëhet në një sistem kompjuterash.

Shumica e njerëzve i pranojnë regjime të tillë ngaqë presin që punësimi të jetë i shpërblyer mirë dhe s’shpresojnë gjë tjetër veç parave nga puna e tyre. Por për hacker-at hack-imi qe më shumë se sa “thjesht” punë, qe mënyrë jetese. Hacker-at fillestarë u kujdesën të mos kishin probleme të tilla, duke lënë jashtë hartimit të sistemit sigurinë dhe mbrojtjen e kartelave. Përdoruesit e sistemit tonë qenë njerëz të lirë, të cilëve u kërkohej të silleshin me përgjegjshmëri. Në vend të një elite pushteti, ne patën një elitë dijesh, të ngritur me këdo që qe i motivuar të nxërë. Ngaqë askush s’mund të mbizotëronte mbi të tjerët në makinën tonë, laboratori funksionoi si një anarki. Suksesi i dukshëm i kësaj më shndërroi në anarkizëm [1]. Për shumicën e njerëzve, “anarki” do të thotë “pështjellim shpërdoruese, destruktiv”, por për një anarkist si unë do të thotë organizim vullnetar sipas nevojës, me theks te synimet, jo rregullat dhe pa këmbëngulje për njëtrajtshmëri për hir të njëtrajtshmërisë. Anarkizëm s’do të thotë të predikosh një xhungël ku ha ujku ujkun. Shoqëria amerikane është tashmë një xhungël ku ha ujku ujkun dhe rregullat e saj e mbajnë të tillë. Ne dëshirojmë t’i zëvendësojmë këto rregulla me një shqetësim për bashkëpunim konstruktiv.

Mbrojtja e kartelave në shumicën e sistemeve të kompjuterave do të thotë që tregohet kujdes i madh se si mund të kufizoni se cilët mund të bëjnë dhe çfarë munden të bëjnë me kartelat tuaja. Përdoruesve u mësohet të presin që mbrojtja e kartelave është gjithçka që ndan ata nga shkatërrimi i punës së tyre çdo ditë. Ne hacker-at, që rrojtëm të lumtur për vite me radhë pa mbrojtje kartelash dhe s’na është dukur se na mungonte gjë e quajtëm qëndrimin e tyre “paranojë”. Qe shumë e dobishme kur gjithçka te sistemi ishte e përdorshme; kjo do të thoshte që një e metë s’mund të fshihej pas një kartele të cilën s’kishit leje ta ndreqnit.

Ne bartëm këtë qëndrim edhe në gjuhët e programimit. Merrni në shqyrtim lëvizjen e “programimit të strukturuar”, me platformën e vet “dëbim për GOTO-n”. Këta njerëz thoshin, “Krejt ju programuesit, hiq ata pak ne, jeni [in]kompetentë. Ne e dimë se si duhet të programoni. Do të hartojmë gjuhë që ju detyrojnë të programoni në këtë mënyrë, mandej do t’ju detyrojmë ti përdorni”. Ne hacker-ave na dukej se një rrugë më e përshtatshme për të përmirësuar gjuhët e programimit qe të identifikoheshin dhe të jepeshin konstrukte që qenë më të lehtë për t’u përdorur; të ndihmohej përdoruesi të shkruante programe të mirë, në vend se të bezdisej, nëse ishte duke shkruar një të keq. Dhe ofruam mjete që përdoruesit të mund të krijonin konstruktet e veta, nëse s’u pëlqenin ata që jepnim.

Manifest Filozofie në Arritjet e Laboratorit

Qëndrimet e laboratorit IA janë pjesë e pandarë e veprës time më të njohur, përpunuesi “sa krejt ekrani” EMACS (te i cili kontribuan edhe Guy Steele dhe të tjerë). Sot, përpunuesit “sa krejt ekrani” (programe “përpunimi fjalësh”) janë të rëndomtë dhe gjenden në çdo kompjuter shtëpie. Në 1973-shin, terminalet ekran qenë më të shtrenjtë se sa shtypësit, kështu që shumica e njerëzve ende përdornin terminale shtypjesh dhe, ata që kishin terminale ekran, zakonisht i përdornin si të qenë terminale shtypjesh (pra, si “GLASS TTY”). Laboratori IA kishte ekrane, por ende jo përpunues ekrani.

EMACS është i pazakontë mes përpunuesve në ekran, ngaqë është i fuqishëm dhe i zgjerueshëm. EMACS përmban pjesën e vet të programimit, të cilën e përdora për t’i dhënë përdoruesit urdhra që përpunues të tjerë s’i kanë dhe të cilat përdoruesi i përdorin për të dhënë çfarëdo urdhrash të cilat s’u dhashë unë. Përdoruesit mund të hartojnë biblioteka urdhrash dhe t’ua japin të tjerëve dhe, kur bëjnë punë të mirë, bibliotekat e tyre bëhen pjesë e sistemit standard EMACS thjesht përmes përfshirjes së tyre te doracaku.

Mjaft përpunues të tjerë kishin pasur mjete “makro”. EMACS përmban një gjuhë programimi për shkrim urdhrash përpunuesi, krejtësisht ndarazi nga gjuha e zakonshme për përpunimet. Ngaqë s’është e nevojshme të jetë një gjuhë përpunimesh teksti, mund të jetë një gjuhë shumë më e mirë programimi, e përshtatshme për shkrim programesh të ndërlikuara. Përbërësi i dytë është të mos bëhet dallim mes sendërtuesit dhe përdoruesit. Thuajse krejt urdhrat “e brendshme” të EMACS-it janë shkuar si zgjerime përdoruesi. Çdo përdorues mund t’i zëvendësojë, ose ndryshojë për veten e vet.

Zhvillimi i EMACS-it ndoqi një shteg që ilustron natyrën e laboratorit. Kur erdha në laborator, përpunuesi qe TECO, një përpunues për terminal shtypjesh, me disa aftësi të tjera programimi më tepër se sa përpunues të tjerë. Përdoruesi shtypte një varg urdhri prej shumë urdhrash dhe mandej TECO do të ekzekutonte. Në një terminal shfaqjeje, TECO dinte se si të rishfaqte tekstin e kartelës, pas çdo vargu urdhrash. Rruga e natyrshme për të sjellë përpunim në ekran qe të shtohej te TECO dhe të përshtatej mekanizmi ekzistues i rishfaqjeve.

Fillimisht, përpunuesi për ekran qe thjesht një nga urdhrat e TECO-s. Fuqia e tij qe shumë e kufizuar dhe nëse donit të bënit çfarëdo gjëje më të ndërlikuar, fjala vjen, ruajtje të kartelës në disk, ose kërkimi për një varg, do të dilnit nga përpunuesi për ekran dhe do të përdornit TECO-n normal për ca kohë. Mandej, një përdorues sugjeroi të sillja nja dy urdhra përpunuesi për ekran që përdoruesi të mund të lidhej me një varg urdhrash TECO të ruajtur, ose “makro”. Duke sendërtuar këtë, zbulova se qe po aq e thjeshtë të lihej përdoruesi të zëvendësojë cilindo urdhër të përpunuesit për ekran me një varg urdhrash TECO të ruajtur.

Kjo shkaktoi një shpërthim. Gjithkush filloi të shkruante koleksionin e vet të urdhrave të ripërkufizuar për përpunues për ekran, një urdhër për gjithçka që donte të bënte zakonisht. Njerëzit do t’i jepnin dhe përmirësonin, duke i bërë më të fuqishëm dhe më të përgjithshëm. Koleksionet e ripërkufizimeve gradualisht u bënë në vetvete programe sistemi. Fushëveprimi i tyre u zgjerua, ndaj pati gjithnjë e më pak arsye për të përdorur TECO-n për përpunim faktik. U shndërrua thjesht në një gjuhë programimi për shkrim përpunuesish. Zumë ta kategorizojmë në mendje si një gjuhë programimi, në vend se si një përpunues me programimin si veçori shtesë dhe kjo do të thoshte të krahasohej me gjuhë të tjera programimi, në vend se me përpunues të tjerë. Përfundimi qe një kërkesë për mjaft veçori që gjuhë të të tjera programimi i kishin. E përmirësova TECO-n në këtë mënyrë, teksa hacker-a të tjerë përdorën veçoritë e reja për të përmirësuar përpunuesin e tyre të shkruar në TECO.

Pas gati dy vjetësh të këtij evolucioni të hovshëm, Guy Steele vendosi se qe koha për të shkruar një përpunues që do të ndërthurte idetë më të mira prej gjithçkaje tjetër. I hymë bashkë kësaj pune, por shpejt ai ndoqi interesa të tjera të tijat. Përpunuesin e quajta EMACS, sipas “editing macros”. Tej kësaj, doja që emri i përpunuesit të ri të mund të shkurtohej në një shkronjë dhe“E” qe një shkronjë ende e papërdorur nga dikush.

Pra, gjuha standarde e urdhrave EMACS qe arritje e vitesh eksperimentimi nga shumë përdorues-mirëmbajtës në përpunuesit e tyre, diçka e mundshme vetëm prej mundësisë për zgjerim në laboratorin IA dhe frymës në të për nxitjen e përdoruesve të shtojnë gjëra në sistem. Ditën e lume kur u dhashë përdoruesve fuqinë të ripërkufizojnë përpunuesit e tyre për ekran, s’e dija që kjo do të shpinte te një përpunues i ri që solli një tërmet. Po ndiqja parimin heuristik të laboratorit IA se është gjithnjë mirë t’i jepet përdoruesit më tepër fuqi. Qëndrimet e laboratorit IA atëherë i nxisnin nxënësit të përdornin fuqinë dhe të ndanin me të tjerët çfarë prodhonin duke bërë kështu.

U mora me EMACS-in për rreth pesë vjet, duke ia dhënë gjithkujt falas, me kushtin që të kthenin krejt zgjerimet që bënin, për të ndihmuar kështu në përmirësimin e EMACS-it. Këtë ujdi e quajta “komuna EMACS”. Teksa e ndaja unë me të tjerët, qe detyrë e tyre të ndanin edhe ata, për të punuar me të tjerët, në vend se kundër të tjerëve. EMACS tani përdoret në krejt degët e informatikës të universiteteve më të mira dhe në mjaft vende të tjera. Është imituar gjithashtu nja dhjetë herë. E trishtueshme të thuhet, por mjaft prej këtyre imitimeve u mungon thelbi i njëmendtë i EMACS-it, çka është aftësia për zgjerim; janë “EMACS-e ersatz” që imitojnë vetëm dukjen sipërfaqësore.

Sot, përdoruesit e EMACS-it zor se përpunojnë më me TECO-n dhe shumica as që dinë gjë për TECO-n. Në fakt, unë kam harruar se si të përpunoj tekst me TECO-n. Jam mësuar të mendoj për programim në TECO, saqë në ato pak raste kur më duhej të bëja përpunime me të, mezi e kapja punën minutën e parë a të dytë. Reflekset kanë ikur fare.

Kam vënë re se, një shenjë se një përmirësim i një përpunuesi është i vlefshëm, është kur, pas përdorimit të tij për nja dy javë, harroj si ta bëj punën pa të. Kjo provon se duhet të ketë dashur një përpjekje të madhe për ta mbajtur në punë për të bërë gjëra sipas mënyrës së vjetër.

Nuk ma merr mendja si ndonjë gjë e ngjashme me EMACS-in do të mund të qe zhvilluar në rrugë komerciale. Bizneset kanë qëndrimet e gabuara. Aksioma parësore e botës komerciale ndaj përdoruesve është se ata janë inkompetentë dhe se po patën çfarëdo kontrolli mbi sistemin e tyre, do ta bëjnë lëmsh. Synimi parësor është t’u japin atyre asgjë specifike për të cilën ata mund të ankohen, jo t’u japin një mjet për të ndihmuar veten. Kjo është e njëjta gjë me pse FDA-ja më mirë do të linte të vdisnin një mijë vetë, duke mos i lejuar barnat në treg, se sa një person nga hedhja gabimisht në treg e një mjekimi. Synimi dytësor është t’u jepet administratorëve pushtet mbi përdoruesit, ngaqë administratorët janë ata që vendosin cili sistem të blihet, jo përdoruesit. Nëse një përpunues për korporata ka ndonjë rrugë për ta zgjeruar, gjasat janë që do ta lënë administratorin tuaj të vendosë gjëra për ju dhe juve s’do t’ju japin fare kontroll. Për të dyja këto arsye, një shoqëri s’do të kishte hartuar kurrë një përpunues me të cilin përdoruesit të mund të eksperimentonin siç bënë ata të e MIT-it dhe s’do të kishin qenë në gjendje të shfrytëzojnë më tej përfundimet e eksperimenteve për të prodhuar një EMACS. Veç këtyre, shoqërisë s’do t’i pëlqente t’ju japë kodin burim dhe pa të, është shumë e zorshme të shkruhen zgjerime.

Si Quhet Shtypësi Juaj?

Kur po instaloja një lloj të ri shkronjash për doracakun e EMAC-it një sistem shtypjesh lazer në laborator, vura re se menuja e gatitjes kishte një mënyrë për ndryshimin e emrit të shtypësit, i cili shfaqej te fleta kapak e çdo shtypjeje nga përdoruesit. (Kjo veçori qe e rëndësishme, nëse kishit më shumë se një shtypës dhe donit të dinit se cili bëri shtypjen tuaj.) Shtypësi ynë pat emrin e lezetshëm dhe të pakuptimtë “Tremont”. Qe detyra ime si hacker ta zëvendësojë me diçka më zbavitëse. Zgjodha “Kafka”, për të sjellë përshoqërime shqetësuese. (Keni dëgjuar për njeriun që u zgjua si shtypës lazer një ditë prej ditësh?)

Për ca ditë më as, të tjerë hacker-a vazhduan të flasin për emrin e ri dhe të sugjerojnë emra të tjerë zbavitës (“Treemunch”, “Thesiscrunch”, “Cthulhu”,…). E provova çdo emër për pak ditë, teksa grumbulloja më tepër sugjerime. Qe qyfyr i madh për gati këdo. Një përjashtim qe një profesor që më tha se s’isha i autorizuar ta bëja këtë dhe se duhet t’i jepja fund. Iu përgjigja se e dija nga përvoja ime se njerëzit prej kësaj po zbaviteshin dhe prandaj duhej të vazhdoja, të paktën për aq kohë sa vazhdonin sugjerimet. Së fundi, i thashë, në terma të vendosur dhe zyrtarë se s’qe i autorizuar të thoshte se hack-imi qe i paautorizuar.

I gjori nuk e la me kaq. Tha ““Nëse mendon se riemërtimi i shtypësit është kaq zbavitës, pse s’riemërton atë të PDP-10-s?” Kjo qe me të vërtetë ide e shkëlqyer, për çka i mbetem borxhli. Të nesërmen, DM-ja i PDP-10-s (shtëpia e lojës Zork) u quajt “Dungeon Modelling”, në vend se “Dynamic Modelling”; ML PDP-10 (e përdorur për kërkime në matematikë dhe në marrje vendimesh mjekësore) u quajt “Medical Liability”, në vend se “Math Lab”; MC PDP-10 u bë “Maximum Confusion”, në vend se “MACSYMA Consortium” dhe AI PDP-10 u quajt “Anarchists International”, në vend se “Artificial Intelligence”. S’dëgjova më ankesa.

Laboratori i Tradhtuar

Ka ende një institucion të quajtur Laboratori i Inteligjencës Artificiale në MIT, por virtytet e dikurshme s’janë më. Iu desh të pësonte një goditje vrastare nga një shoqëri e lindur prej tij dhe kjo ndryshoi në mënyrë thelbësore natyrën e tij dhe (besoj) përgjithmonë.

Për vite të tëra, vetëm ne në laboratorin IA dhe pak laboratorë të tjerë çmonin më të mirën në software. Kur flisnim për virtytet e Lisp-it, programues të tjerë talleshin me ne, edhe pse me njohje të pakët të asaj për çka po flisnin. I shpërfillëm dhe vazhduam punën tonë. Thanë për ne se rronim në një kullë të fildishtë.

Mandej, pjesë të “botës së njëmendtë” kuptuan se e kishim pasur drejt gjatë tërë kohës për Lisp-in. U shfaq interes i madh komercial për Lisp-in. Ky qe fillimi i fundit.

Laboratori IA sapo kishte zhvilluar një kompjuter të quajtur makina Lisp, një kompjuter personal me një hapësirë të madhe adrese virtuale, kështu ajo mund të xhironte programe shumë të mëdhenj Lisp. Tani njerëzit donin që makina të prodhohej komercialisht, që të mund ta kishte kushdo. Shpikësi i makinës Lisp, krye-hacker-i Richard Greenblatt, thuri plane për një shoqëri biznesi jokonvencionale hacker-ash, që do të fuqizohej ngadalë, por paprerë, që s’do të përdorte fryrjen e gjërave dhe do të qe më pak e pangopur dhe më pak e pamëshirshme se sa korporata standarde amerikane. Synimi i tij qe të jepte një rrugë alternative për përkrahjen e hacker-ave dhe hack-imit dhe t’i jepeshin botës makina Lisp dhe software i mbarë, në vend se thjeshtë të maksimizoheshin fitimet. Kjo do të thoshte të ecej përpara pa shumicën e investimeve nga jashtë, ngaqë investuesit do të këmbëngulnin në metoda konvencionale. Kjo shoqëri qe “Lisp Machines Incorporated”, zakonisht e quajtur LMI.

Të tjerë persona në projektin e makinave Lisp besonin se kjo s’do të funksiononte dhe kritikuan mungesën e përvojës në biznes të Greenblatt-it. Si përgjigje, Greenblatt-i pruri shokun e vet, Noftsker, i cili kish ikur nga laboratori ca vite më parë për t’u marrë me industri. Noftsker konsiderohej i sprovuar në biznes. E demonstroi pa humbur kohë saktësinë e kësaj përshtypjeje, me një thikë pas shpine ku s’ka ku të vejë më tepër në stil biznesi: ai dhe hacker-a të tjerë e braktisën Greenblatt-in për të formuar një tjetër shoqëri. Plani i tyre qe të tërhiqnin sasi të mëdha investimi, të zmadhoheshin sa më shpejt që të qe e mundur, t’ia bënin bam dhe djalli e marrtë këdo apo çfarëdo që do të binte viktimë. Edhe pse hacker-at do të merrnin vetëm një pjesë të vogël të pasurisë që shoqëria kishte në plan të fitonte, edhe kaq pak do t’i bënte të pasur! S’ju duhej as të djersinin më. Thjesht iu desh të reshtnin së bashkëpunuari me të tjerët, siç edhe ishin mësuar të bënin.

Kjo solli dy shoqëri konkurruese makinash Lisp: LMI-ja e Greenblatt-it dhe Symbolics e Noftsker-it (përgjithësisht e quajtur “Slime”, ose “Bolix” nëpër laboratorin IA). Krejt hacker-at e laboratorit IA ishin rreshtuar me njërin ose tjetrin, hiq mua, ngase qoftë edhe LMI-ja do të thoshte kompromise morale që unë s’kisha dëshirë t’i bëja. Për shembull, Greenblatt-i është kundër software-i pronësor në sisteme operative, por miraton software pronësor për aplikacione; unë s’dua të refuzoj ndarjen me të tjerët të asnjërit lloj programesh.[2]

Symbolics eci më tej menjëherë për sigurimin e miliona dollarëve investime dhe punësoi me këmbëngulje këdo në MIT që s’qe i salduar. Greenblatt-i kish përfytyruar që njerëzit të punonin pjesërisht në LMI dhe pjesërisht në laboratorin IA, që të zvogëlohej trauma ndaj laboratorit. Symbolics bëri akuza për konflikt interesash, duke i detyruar njerëzit e LMI-së të braktisnin MIT-in. Papritmas qeshë hacker-i i fundit dhe një person s’mjaftonte. Laboratori po vdiste.

Dyshoj fort se shkatërrimi i laboratorit IA qe një akt me dashje. Kur një biznesmen shtie në dorë një vezë të artë, i këput kokën shpendit, për t’u siguruar se ka monopolin.

Është e mundimshme për mua të sjell në mendje kujtime të kësaj kohe. Njerëzit e mbetur në laborator qenë profesorët, studentët dhe kërkues jo hacker-a , të cilit s’dinin si të mirëmbanin sistemin apo hardware-in, apo të donin të dinin. Makinat zunë të prishen dhe të mos ndreqen më [3]; ndonjëherë thjesht i hodhën. Ndryshime të nevojshme në software s’bëheshin dot. Johacker-at reaguan ndaj kësaj duke u hedhur në sisteme komerciale, duke sjellë me to fashizëm dhe marrëveshje licencash. Baritja nëpër laborator, përmes sallave kaq të zbrazëta natën, kur dikur mbusheshin plot dhe mendoja, “Oh, i gjori laboratori im, po vdes dhe s’të shpëtoj dot.” Ideja e gjithkujt qe se nëse përgatiteshin më tepër hacker-a, do t’i punësonte Symbolics, ndaj s’dukej me bukë as të provohej. Administrata e laboratorit s’bëri ndonjë përpjekje për të na bërë tok dhe administrata e MIT-it u soll po aq koprace sa shoqëritë për fitime, duke i demoralizuar më tej njerëzit.

Në të kaluarën, kishin ikur herë pas here hacker-a, por qenë ushtruar të rinj për të zëvendësuar ata me të tjerë që s’ikën. Tanimë krejt kjo qe fshirë, s’kishte mbetur gjë aq sa për të dhënë një model për një person të ri, as madhështi për të tërhequr më të mirët. Për shembull, hacker-at e kishin zakon të hanin darkë tok (zakonisht kuzhinë kineze) përditë. Askush s’qe atje përditë. por mund të vinit bast se do gjenit të tjerë persona për të ngrënë bashkë në darkë. Tanimë kjo praktikë u shthur dhe kur njerëzit s’pritnin më se do të gjenin të tjerë për të ngrënë bashkë, s’do të vinin më në plan të shfaqeshin për të ngrënë në orën e zakonshme, duke e përforcuar kështu efektin.

Krejt laboratori IA kishte një numër të përbashkët telefonik dhe një sistem komunikimesh publike. (Numri i brendshëm qe 6765 dhe ne përgjigjeshim “6765”, ose “Fibonaçi i 20-të”, ngaqë 6765 është numri Fibonaçi i 20-të.) Qe e lehtë të thirrej dhe të kapej kushdo dhe gjithkush. Tanimë shumica e njerëzve dhe terminaleve ishin lëvizur në kate të tjera, ku 6765 s’kap dhe kati i 9-të, zemra origjinale e laboratorit, është e mbushur me makina. Ky ndryshim po e redukton edhe më kohezionin shoqëror të laboratorit. Tanimë s’mundem të marr dikë në telefon dhe të mësoj nëse i hahet dhe askush s’mund të lidhet me mua në telefon.

Kështu humba njëherësh rrjetin tim shoqëror, mundësinë time të vazhdoj me nder karrierën time dhe shumicën e çka kisha ndihmuar të ngrihej. Më dukej se isha i mbijetuari i fundit i një tribuje të zhdukur, i dënuar të shpenzoj jetën time mes të huajsh që s’kuptonin. S’kishte shumë shanse për ndërtimin e një laboratori të ri me cilësitë e mbara të laboratorit IA, nëse një ekzistues dhe i shëndetshëm më parë s’mund t’i mbijetonte trysnisë. Industria e kompjuterave s’do të kishte dëshirën të më linte të ndaja gjëra me të tjerë hacker-a, siç e kërkon rregulli i artë. Fillova të shoh për një karrierë të re që s’do të kish punë me kompjuterat, por s’prisja të gjeja ndonjë dhe s’shihja të ardhme, veç të merresha me programe financash, ose gjëra të tjera, për të cilat asnjë hacker (përfshi mua) s’do të tregonte interes. Do të ishte një jetë pa kuptim, pro të paktën do të më kursente turpin e refuzimit të ndaja me të tjerë hacker-a, nëse s’do të donin ato me ç’po merresha. S’isha i sigurt nëse kjo qe më mirë se një formë më e drejtpërdrejtë vetëvrasjeje.

Për ndonjë vit pati LMI, Symbolics dhe ç’mbeti nga laboratori IA. Sistemi operativ i makinave Lisp qe i përbashkët për të tre palët. Herë pas here, hacker-at nga Symbolics do t’i përgjigjeshin një njoftimi për të metë duke thënë, “Kjo s’mund të ndreqet në sistemin e tanishëm. Prisni për makinën tonë të re.” Kjo qe për ta bërë makinën e re të tingëllonte si një përmirësim. Qe dëfrim i madh për mua të njoftoja, pak më vonë, se e kisha ndrequr tashmë të metën.

Plas Lufta

Por gjërat do të shkonin më keq, ngaqë LMI-ja s’qe dështimi që Symbolics kish predikuar me zë të lartë. Prodhonte dhe shiste makina Lisp dhe i shiste për shumë më pak se sa Symbolics, i cili kishte një investim gjigant për të shlyer dhe kaq shumë rroga për të paguar. Pas ndonjë viti, Symbolics kuptoi se triumfi i vet i reklamuar fort s’kishte për të ndodhur pa masa më të dhunshme. Plani i tyre: t’i jepnin fund ndarjen mes tre palës të përmirësimeve të software-it. Ngaqë LMI-ja qe shumë më e vogël, prisnin që LMI të mos qe në gjendje të mbante hapin e tyre. (Laboratori IA s’konsiderohej më si kontribues me peshë.)

Symbolics kërkoi që laboratori IA t’u nënshtrohej kushteve të reja: të përdorte përmirësime e bëra nga Symbolics, por të mos ia jepte LMI-së [4]. Kjo kërkesë u njoftua, në stil Newspeak, si akt i madh bujarie. Në fakt, qoftë edhe lejimi i MIT-it të vazhdonte të përdorte përmirësimet e tyre qe thjesht një tjetër taktikë, e hartuar të kyçte laboratorin në një platformë, që të mund të furnizonte për ta njoftime të metash dhe demonstrime dhe të blinte vetëm prej tyre. Ky s’është ndonjë motivim i pazakontë. Mjaft shoqëri i dhurojnë MIT-së kompjuterat që prodhojnë mu për këtë arsye. Por zakonisht ata rreken të fitojnë bashkëpunimin e MIT-së përmes bujarisë, në vend se rrahjes së kamxhikut.

Symbolics padyshim priti që laboratori të bënte prapa menjëherë dhe të kalonte tërësisht nën markën e tyre të software-it. Por unë nuk pranova të kapitulloja, s’pranova të rreshtohesha për të ndihmuar Symbolics kundër LMI-së. LMI-aj ia vlente më shumë ndihmën time. Duke mos qenë më i lejuar të mbesja neutral, do të luftoja kundër atyre që më detyruan të luftoj [5].

Në vend se të përdorja përmirësimet nga Symbolics, bëra përmirësime të ngjashme te sistemi i fundit i përbashkët. Shumica e përdoruesve të laboratorit vazhduan të përdorin sistemin e MIT-së; disa ngaqë s’e honepsnin Symbolics-in, disa ngaqë e konsideronin atë të MIT-së teknikisht më sipër dhe disa ngaqë qenë më të lirë për ta ndryshuar. Për ndonjë vit e gjysmë bëra kështu, mirëmbaja sistemin e MIT-së po aq të mirë dhe shpesh edhe më të mirë. Ngaqë LMI-ja përfiton përdorimin e krejt përmirësimeve që bëj, edhe LMI ka një sistem po aq të mirë. Përfundimi kryesor i mohimit të ndarjes nga ana e Symbolics-it qe që përdoruesit patën shumë pengesa, për shkak të mospërputhjes mes dy sistemeve.

Në përgjithësi, e lija Symbolics-in të hartonte një veçori të re, mandej shihja te dokumentimi i tyre dhe sendërtoja diçka kryesisht të përputhshme. Do ta përmirësoja sistemin po aq mirë pa u vënë veshin atyre, por kjo do të ishte strategji e gabuar. Ata mund të kopjonin përmirësimet e mia fjalë për fjalë dhe të harxhonin kohën e tyre me përmirësime të tjera. Ose mund ta shpërfillnin hartimin tim dhe të sendërtonin diçka të ngjashme, por të papërputhshme, duke u hapur punë krejt përdoruesve. Mu si në një garë me biçikleta, është shumë më lehtë nëse jeni fill pas tjetrit. Si një dikush në garë me një ekip të madh, më duhet ky avantazh. Mund të kaloj kollaj i pari, por kjo s’është përdorim efikas i energjive të mia.

Symbolics-i kundërpërgjigjet me kërcënim për padi (por s’kanë hapur ndonjë) dhe duke u përpjekur të pushohen nga puna. Gojët e liga thonë se kanë lexuar disa herë postën time në kompjuterin tim, duke kërkuar diçka për të cilën të më akuzonin, një herë u kapën me presh në duar dhe kjo u doli së prapthi. (Është kundër parimeve të mia t’i ndal përmes masash sigurie që ndëshkojnë gjithkënd.) Mendojnë se është gjë e ligë që dikush të përfitojë diçka falas; më mirë ajo diçka të vejë dëm, se sa të jetë me përfitim për konkurrentin e tyre, në mënyrë të barabartë me ta. Ky është lloji i përçarjes që ka paralizuar vendin tonë.

Duke punuar kundër Symbolics-it në këtë mënyrë, jo vetëm që s’më duhet t’u nënshtrohen kushteve të tyre, por ndihmoj të vihet drejtësi dhe ndëshkim që e kanë hak për shkatërrimin e laboratorit të dikurshëm IA. Fillimisht kisha shpresë të ofrojë një bërthamë vetë-mjaftueshmërie për të rigjallëruar laboratorin. Por kësaj s’i afrua kush; gjithkush tani është ngulur në punën e vet kërkimore.

Nga Të Shkoj Tani?

Symbolics-i s’arriti kurrë superioritet në software, por makina e tyre e re, më e shpejtë qe gati më herët se sa makina e re më e shpejtë e LMI-së. Tani kanë dhënë mjaft të tilla për MIT-në dhe përdoruesit e mi po kalojnë në to. Përdorimi i versionit MIT të sistemit në këto makina s’është gjë praktike, ngaqë makina janë kaq të ndryshme.

Humbja e përdoruesve e bën të vështirë për mua të verifikoj se software-i im i ri funksionon vërtet. Por me pak fat do të jem në gjendje të vazhdoj gjatë, për ta penguar Symbolics-in të fitojë. LMI-ja sapo ka filluar dërgimet. Së shpejti do të jenë shumë të suksesshëm dhe do të mbulojnë zhvillimin e sistemit prej vetë atyre dhe Symbolics-i do të ngecë përballë konkurrencës së zhdërvjellët dhe agresive. Sapo LMI të jenë në gjendje të ecë vetë pa ndihmën time, ndëshkimi eventual i Symbolics-it do të rregullohet plotësisht. Mandej mund të resht të merrem me makina Lisp. Kam vënë Thanksgiving e këtij viti si koha për t’u ndalur.

Dhe pasi të kem rregulluar ndëshkimin e keqbërësve, është koha që të filloj të ringre çfarë shkatërruan.

S’mund të ringrihet në laboratorin IA. MIT priret të licencojë çfarëdo të dobishme që bëhet këtu dhe vazhdimi i ndarjes me të tjerë përbën një mundim. Dhe sido qoftë, të jesh i rrethuar nga makina Symbolics dhe të shitur gjysmëkompetentë s’është zbavitëse. Më duhet të bëj një nisje të re në jetë dhe hapi i parë është largohem prej gërmadhave të së kaluarës. Ndaj, do të largohem.

S’mund të ringrihet duke punuar në makina Lisp. MIT pretendon se ka në pronësi software-in e makinave Lisp, ndaj mund të ndahet me të tjerë vetëm fshehtas. (LMI-ja përbën një përjashtim; kanë një kontratë me MIT-në.) Ky bashkëpunim ilegal është më mirë se hiç, por s’mund të prodhojë një mënyrë të re jete. Ajo kërkon bashkëpunim të hapur, publik dhe të përhapur gjerësisht. Dukej më e drejtë të punohej në sistemin e makinave Lisp, se sa të lihej Symbolics të fitonte, por s’është rrugë e mirë për të jetuar kështu më gjatë se sa është e nevojshme. Për të njëjtën arsye, s’mund të punoj për LMI-në, edhe pse janë dakord ta lënë punën time pjesërisht publike. Mund të bëj kompromise kur jam në luftë, por kur vjen puna për të ngritur diçka të mirë, kompromise të tilla janë pa bukë, ngaqë do ta bënin çfarëdo që ndërtoj të mos arrijë të jetë e mirë.

Në vend të kësaj, kam zgjedhur një projekt ambicioz që godet në rrënjët e mënyrës se si mirëmbahet rruga komerciale, armiqësore e jetës. Do të shkruaj GNU-në, një zëvendësim i plotë për sistemin Unix të software-it (kernel, përpilues, mjete dhe dokumentim), për t’ia dhënë lirish kujtdo.

GNU do ta bëjë të kollajtë për hacker-at të vendosin të jetojnë duke ndarë dhe bashkëpunuar. Që të përdorësh një kompjuter duhet një sistem software-i. Sot, pa sisteme software-i të lirë, është një sakrificë marramendëse të refuzosh të përdorësh software pronë e dikujt. Por pasi një sistem i dëshirueshëm software-i të jetë gati për t’u pasur lirisht, ajo trysni do të bjerë përgjithmonë. Hacker-at do të jenë të lirë të ndajnë gjëra me të tjerët.

Filloj me festën Thanksgiving. Po u kërkoj prodhuesve të kompjuterave dhurime për kauzën, por do ta bëj edhe sikur të më duhet të punoj kamerier. Programues të tjerë që kanë mall për mënyrat e dikurshme po i bashkohen tashmë kauzës. Bëhuni pjesë dhe ndihmoni! dhe ndoshta fryma e dikurshme e laboratorit IA do të vijë prapë në jetë.

Hack-im të Mbarë
Richard M. Stallman
Hacker-i i Lumtur

Poshtëshënime

  1. E doja rrugën anarkike të jetës së Laboratorit IA dhe mënyrën e funksionimit, por kjo s’do të thotë të jesh fund e krye anarkist. S’bëra thirrje për rrëzimin e shtetit dhe mjaft veprimtarish të dobishme të tij dhe të mundësisë së marrjes në mënyrë demokratike të vendimeve të shoqërisë. Shihni Pse na duhet një shtet.
  2. Laboratori IA qe asnjanës mes dy shoqërive; isha i kënaqur të isha pjesë e asaj asnjanësie.
  3. Makina PDP-10 e laboratorit IA u prish në shkurt të 1982 dhe s’u riparua më kurrë.
  4. Symbolics e publikoi ultimatumin e vet më 6 mars 1982, për koincidencë datëlindja ime. E pashë si dita kur Symbolics sulmoi Laboratorin IA dhe LMI-në, duke synuar të nënshtrojë të parin dhe të shkatërrojë të dytin.
  5. Për ironi, përplasja e plotë më nxori nga dëshpërimi, duke më treguar diçka pozitive për të cilën të përpiqesha. S’isha më në udhëkryq, pa drejtim nga të shkoja. Më ra një përpjekje, papritmas—një agresion, mposhtja e të cilit ia vlente të ushtroja maksimumin e aftësisë time.