Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Intervistë e BYTE-it me Richard Stallman

Richard Stallman flet me redaktorët e BYTE-it, për sistemin e tij të software-it në përkatësi publike, të përputhshëm me Unix, (korrik 1986)


Richard Stallman ka ndërmarrë ndoshta projektin më ambicioz në zhvillime software-i të lirë deri më sot, sistemin GNU. Te Manifesti i tij i GNU-së, botuar në numrin e mars-it të 1985-s të “Dr. Dobb's Journal”, Stallman e përshkroi GNU-në si një “sistem software-i të përputhshëm me Unix, të cilin po e shkruaj që të mund t’ia jap lirisht kujtdo që mund ta përdorë… Pasi GNU-ja të jetë shkruar, gjithkush do të jetë në gjendje të ketë një sistem software-i lirisht, njësoj si ajrin”. (GNU është shkurtim për GNU’s Not Unix; “G”-ja shqiptohet.)

Stallman njihet gjerësisht si autori i EMACS, një përpunues tekstesh i fuqishëm, të cilin e hartoi në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT. Nuk është rastësi që copa e parë e një software-i prodhuar si pjesë e projektit GNU qe një sendërtim i ri i EMACS-it. GNU EMACS ka fituar tashmë famën si një prej sendërtimeve më të mira të tanishme të passhme për EMACS, në çfarëdo fashe çmimesh.

BYTE: Në numrin e Marsit, 1985, të Dr. Dobb's lexuam nga ju Manifestin e GNU-së. Ç’ka ndodhur që prej atëherë? A qe ky fillimi vërtet, dhe si keni ecur nga andej e tëhu?

Stallman: Botimi te Dr. Dobb's s’qe fillimi i projektit. Manifestin e GNU-së e shkrojta kur po përgatitesha të nisja projektin, si një ftesë për t’u kërkuar prodhuesve të kompjuterëve financim. Ata nuk deshën të përfshiheshin dhe vendosa që më mirë se sa të harxhoj kohë nga e imja, me përpjekje për sigurim fondesh, më takonte ta harxhoja duke shkruar kod. Manifesti u botua rreth një vit e gjysmë pasi e pata shkruar, kur sapo kisha filluar të shpërndaja GNU EMACS. Që prej atëherë, veç plotësimit të mëtejshëm të GNU EMACS dhe aftësimit të tij të xhirojë në më shumë lloje kompjuteri, thuajse kam përfunduar optimizimin e përpiluesit C dhe krejt programet e tjera që nevojiten për xhirimin e programeve në C. Kjo përfshin një diagnostikues në nivel burimi, i cili ka mjaft veçori që të tjerë diagnostikues në nivel burimi për Unix nuk i kanë. Për shembull, ka ndryshore të leverdishme brenda diagnostikuesit e kështu mund të ruani vlera dhe ka po ashtu historik të krejt vlerave që keni dërguar në shtypës, duke e bërë tmerrësisht më të lehtë të gjurmohet përreth strukturash listë.

BYTE: Keni përfunduar një përpunues që tani është shpërndarë gjerësisht dhe jeni duke përfunduar një përpilues.

Stallman: Them se do të ketë përfunduar këtë Tetor.

BYTE: Po për kernelin?

Stallman: Tani kam në plan të filloj me kernelin që qe shkruar në MIT dhe që iu dha publikut së fundi, me idenë se do ta përdorja. Ky kernel quhet TRIX; bazohet në thirrje procedurash së largëti. Më duhet ende t’i shtoj përputhshmërinë për një numër veçorish të Unix-it, të cilat hëpërhë nuk i ka. S’kam filluar akoma të merrem me të. Po përfundoj përpiluesin, përpara se të vazhdoj me kernelin. Do të më duhet edhe të rishkruaj sistemin e kartelave. Synoj ta bëj të paprekshëm nga dështimet, thjesht duke e bërë që të shkruajë blloqe në rendin e duhur, që kështu struktura e diskut të jetë përherë konsistente. Mandej dua të shtoj numra versioni. Kam një skemë të ndërlikuar për pajtimin e numrave të versioneve me mënyrën se si e përdorin njerëzit Unix-in zakonisht. Duhet të jeni në gjendje të specifikoni emra kartelash pa numra versionesh, por duhet po ashtu të jeni në gjendje t’i përcaktoni ato me numra versioni shprehimisht, dhe që të dyja duhet të funksionojnë me programet e zakonshëm Unix, që s’janë ndryshuar ende në ndonjë mënyrë për të pasur parasysh ekzistencën e kësaj veçorie. Mendoj se e kam një skemë për ta bërë këtë gjë dhe vetëm prova do të më tregojë se a e përmbush vërtet qëllimin.

BYTE: A keni një përshkrim që mund të na e jepnit rreth se si GNU, si sistem, ka për të qenë sipëror ndaj sistemeve të tjerë? Dimë që një nga objektivat tuaj është të prodhoni diçka që është e përputhshme me Unix-in. Por të paktën në fushën e sistemeve të kartelave keni thënë tashmë se do të shkoni tej Unix-it dhe do të prodhoni diçka që është më e mirë.

Stallman: Përpiluesi C do të prodhojë kod më të mirë e që xhiron më shpejt. Diagnostikuesi është më i mirë. Për secilën copë, mund të gjej ose jo një mënyrë për ta përmirësuar. Por nuk ka përgjigje për këtë pyetje. Deri diku po përfitoj nga shansi që jep risendërtimi, çka i bën shumë sisteme më të mirë. Deri diku kjo vjen ngaqë kam qenë i fushës për një kohë të gjatë dhe kam punuar në mjaft sisteme të tjerë. Kështu që kam plot ide për të shtuar. Një drejtim në të cilin do të jetë më i mirë është fakti që, praktikisht, çdo gjë në sistem do të punojë mbi kartela të çfarëdo madhësie, rreshta të çfarëdo madhësie, me çfarëdo shenjash që përmbajnë këta. Sistemi Unix është mjaft dobët në këtë drejtim. Parimi i krijimit të software-it, sipas të cilit nuk ka pse të ketë kufij arbitrarë për mundësitë tuaja, nuk është i ri. Por qe thjesht praktika standarde në shkrimin e Unix-it që vendosi të tillë gjithë kohës, mundet thjesht ngaqë shkruanin për kompjuterë shumë të vegjël. Kufiri i vetëm në sistemin GNU është kur programi juaj ka konsumuar krejt kujtesën, ngaqë provoi të punojë mbi më shumë të dhëna se sa mundej dhe nuk ka vend për t’i mbajtur të tëra.

BYTE: Dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë, po qe se keni kujtesë virtuale. Thjesht zgjidhja mund të vonojë pambarim.

Stallman: Në fakt këto kufizime priren të ndikojnë në një kohë shumë më herët se sa zgjidhja të mund të vonojë pambarim.

BYTE: A mund të thoni diçka mbi llojet e makinave dhe mjediset për të cilat GNU EMACS është përshtatur të xhirojë veçanërisht? Tani ai xhiron në VAX-e; a ka migruar në ndonjë formë te kompjuterat personalë?

Stallman: Nuk jam i sigurt se çfarë kuptoni me kompjutera personalë. Për shembull, një Sun a është kompjuter personal? GNU EMACS lyp të paktën një megabajt kujtesë në dispozicion, mundësisht edhe më tepër. Përdoret normalisht në makina që kanë kujtesë virtuale. Hiq rastet për disa probleme teknike në pak përpilues C, thuajse çfarëdo makine me kujtesë virtuale dhe që xhiron një version deri diku të ri të Unix-it do ta xhirojë GNU EMACS dhe shumica e tyre vërtet e xhirojnë.

BYTE: Ka provuar ndokush t’i kalojë në Atari apo në Macintosh-a?

Stallman: Atari 1040ST ende s’ka kujtesë të mjaftueshme. Makina e ardhshme Atari, them, do ta xhirojë. Po ashtu, mendoj se Atari-t e ardhshëm do të kenë ndonjë formë projektimi kujtese. Sigurisht, nuk po e hartoj software-in që të xhirojë në llojet e kompjuterave që janë mbizotërues sot. E dija, që kur e fillova këtë projekt, se do të më merrte ca vite. Ndaj vendosa që të mos e bëja më keq një sistem, duke u ndeshur me sfidën e të bërit të xhirojë në mjediset e sotme të kufizuara. Në vend të kësaj, do ta shkruaj në mënyrën që duket më e natyrshmja dhe më e mira. Kam besim se edhe nja dy vite dhe makinat me madhësi të mjaftueshme kujtese do të jenë mbizotërueset. Në fakt, rritja e madhësisë së kujtesës po ndodh kaq shpejt, sa që më lë gojëhapur fakti se sa ngadalë po ecin shumica e njerëzve me vendosjen e kujtesës virtuale. Mendoj se është krejtësisht thelbësore.

BYTE: Mendoj se njerëzit nuk e shohin si vërtet të nevojshme në makinat për një përdorues.

Stallman: Nuk kuptojnë që një përdorues nuk do të thotë një program i vetëm. E qartë që për çfarëdo sistemi të ngjashëm me Unix është e rëndësishme aftësia e xhirimit të shumë proceseve të ndryshme në të njëjtën kohë, edhe pse për vetëm një nga ju. Mund ta xhironit GNU EMACS në një makinë pa kujtesë virtuale me kujtesë të mjaftueshme, por nuk mund të xhironi dhe aq mirë pjesën tjetër të sistemit GNU në një sistem Unix.

BYTE: Sa LISP është i pranishëm në GNU EMACS? Mu duk se mund të jetë e dobishme të përdoret si një mjet për të mësuar LISP.

Stallman: Sigurisht që mund ta bëni këtë. GNU EMACS përmban një sistem LISP të plotë, edhe pse jo shumë të fuqishëm. Është mjaft i fuqishëm për shkrim urdhrash përpunuesi. Nuk krahasohet me, të themi, një Common LISP System, diçka që do ta përdornit vërtet për programim sistemi, por ka krejt gjërat që duhet të ketë LISP-i.

BYTE: A keni ndonjë parashikim se kur do të ishit në gjendje të shpërndanit një mjedis që funksionon, në të cilin, kur ta vendosnim në makinat apo stacionet tona të punës, të mund të bënim punë në mënyrë të arsyeshme, pa përdorur gjë tjetër veç kodit që shpërndani?

Stallman: Është vërtet e zorshme të thuhet. Kjo mund të ndodhte për një vit, po sigurisht mund të zgjaste më tepër. Mund edhe të mendohej se mund të zgjaste më pak, por as kjo nuk është edhe aq e mundur tanimë. Mendoj se do ta kem përpiluesin të përfunduar për një muaj a dy. E vetmja pjesë pune tjetër e madhe që më duhet të bëj është tek kerneli. Fillimisht parashikoja që GNU-ja do të merrte diçka si dy vjet, por kaluan dy vjet e gjysmë dhe ende nuk kam mbaruar. Një pjesë e shkaqeve të vonesës është fakti që shpenzova goxha kohë duke punuar për një përpilues që doli se qe rrugë pa krye. M’u desh ta rishkruaj plotësisht. Një arsye tjetër është që shpenzova kaq shumë kohë për GNU EMACS. Fillimisht mendova se nuk kisha pse e bëja fare këtë.

BYTE: Na thoni diçka për skemën tuaj të shpërndarjes.

Stallman: Nuk i vendos software-in apo doracakët për ta në përkatësi publike dhe arsyeja për këtë është se dua që të sigurohet që tërë përdoruesit do të jenë të lirë t’i shpërndajnë. Nuk dua kënd të bëjë një version të përmirësuar të ndonjërit nga programet që kam shkruar dhe ta shpërndajë si pronësor. Dua që kjo të mos jetë e mundur. Dua të nxis përmirësimet e lira të këtyre programeve dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është heqja e çfarëdo tundimi për një person për të bërë përmirësime jo të lira. Po, pak prej tyre do të heqin dorë nga kryerja e përmirësimeve, por shumë të tjerë do t’i bëjnë përmirësimet dhe do t’i bëjnë të lira.

BYTE: Dhe ç’mund të na thoni për garantimin e kësaj?

Stallman: Këtë e bëj duke i vendosur programet nën të drejta kopjimi dhe duke shtuar një shënim me të cilin u jepet njerëzve shprehimisht leja të kopjojnë programet dhe t’i ndryshojnë ato, por vetëm me kusht që t’i shpërndajnë po sipas të njëjtave kushte që përdora, po qe se vjen puna. Nuk e keni detyrim të shpërndani ndryshimet që i bëni ndonjërit prej programeve të mia—mund t’i bëni thjesht për veten dhe nuk e keni detyrim t’ua jepni apo tregoni ndokujt. Por po ua dhatë ato dikujt tjetër, duhet ta bëni sipas po atyre kushteve që unë përdor.

BYTE: Përfitoni ndonjë të drejtë mbi kod të ekzekutueshëm të rrjedhur nga përpiluesi C?

Stallman: Ligji i të drejtave të kopjimit nuk më jep të drejta kopjimi mbi frytet e marra prej përpiluesit, pra nuk më jep ndonjë rrugë që të më lejojë të them diçka mbi këtë dhe në fakt as që përpiqem. Nuk kam simpati për njerëz që zhvillojnë produkte pronësore, me çfarëdo përpiluesi qoftë, por nuk duket kushedi e dobishme të provohet të pengohen këta prej zhvillimit me këtë përpilues, ndaj nuk kam për ta bërë.

BYTE: A gjejnë zbatim kufizimet tuaja mbi persona që marrin një copë kodi për të prodhuar gjëra të tjera?

Stallman: Po, nëse trupëzojnë të ndryshuar çfarëdo cope të cilës mund t’i matet madhësia. Po qe se bëhet fjalë për dy rreshta kod, për kaq është e kotë; të drejtat e kopjimit nuk zbatohen mbi këtë rast. Në thelb, këto kushte i kam zgjedhur që së pari të ketë të drejta kopjimi, që janë krejt ajo çka përdorin grumbulluesit e software-it për të penguar këdo të bëjë çfarëdo gjëje, e mandej shtoj një shënim që jep një pjesë të këtyre të drejtave. Pra, kushtet merren vetëm me gjëra për të cilat zbatohen të drejtat e kopjimit. Nuk besoj se arsyeja pse do të duhej t’u bindeshim këtyre kushteve është për shkak të ligjit. Arsyeja pse duhet t’u bindeni është se një person i ndershëm kur shpërndan një software nxit të tjerë persona ta ndajnë me të tjerët edhe më tej.

BYTE: Në një farë kuptimi, ju i nxisni njerëzit drejt kësaj mënyre të menduari duke u ofruar tërë këto mjete interesante, që mund t’i përdorin, por vetëm nëse pajtohen me filozofinë tuaj.

Stallman: Po. Mund edhe ta shihni si përdorim të sistemit ligjor që kanë grumbulluesit e software-it, të rregulluar kundër tyre. Unë po e përdor për të mbrojtur publikun prej tyre.

BYTE: Duke parë se prodhuesit nuk kanë dashur ta financojnë projektin, cilët mendoni se do ta përdorin sistemin GNU kur të jetë përfunduar?

Stallman: Nuk ia kam idenë, por nuk është pyetje me rëndësi. Qëllimi im është t’u bëj të mundur njerëzve mospranimin e zinxhirëve që vijnë bashkë me software-in pronësor. E di që ka njerëz që duan ta bëjnë këtë. Tani, mund të ketë të tjerë që nuk u prishet puna, por unë nuk merrem me ta. Ndjej pak keqardhje për ta dhe për persona që ndikohen prej tyre. Sot për sot, një person që i kap anët e papëlqyeshme të kushteve të software-it pronësor e ndjen se ka ngecur dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç të mos përdorë kompjuterin. E pra, do t’i jap një alternativë të përshtatshme.

Persona të tjerë mund ta përdorin sistemin GNU thjesht sepse është teknikisht sipëror. Për shembull, përpiluesi im C prodhon kod po aq të mirë sa kam parë unë prej mjaft përpiluesish të tjerë. Dhe GNU EMACS përgjithësisht shihet si shumë më sipëror se konkurrentët komercialë. Dhe GNU EMACS nuk qe financuar nga dikush tjetër, por gjithkush po e përdor. Ndaj mendoj se mjaft persona të tjerë do të përdorin pjesën tjetër të sistemit GNU për shkak të përparësive të tij teknike. Por do ta bëja një sistem GNU edhe sikur të mos dija se si ta bëja teknikisht më të mirë, sepse dua ta jetë nga ana sociale më i mirë. Projekti GNU është vërtet një projekt social. Përdor mjete teknike për të bërë një ndryshim në shoqëri.

BYTE: Atëherë është jo pak e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë GNU-në. Nuk bëhet fjalë thjesht për një ushtrim akademik për prodhimin e këtij software-i për t’ia dhënë njerëzve. Ju shpresoni se kështu do të ndryshohet mënyra se si funksionon industria e software-it.

Stallman: Po. Disa thonë se nuk ka për ta përdorur kush ndonjëherë, ngaqë nuk ka ndonjë logo tërheqëse korporate në të, të tjerë persona thonë se janë të mendimit që është shumë i rëndësishëm dhe çdokush do të dojë ta përdorë. Nuk kam ndonjë mënyrë të di se çfarë do të ndodhë ndodhë realisht. Nuk di ndonjë mënyrë tjetër për ndryshimin e shëmtisë në fushën ku gjendem, që ta provoja, ndaj kjo është ajo që duhet të bëj.

BYTE: A mund të na tregoni pasojat? Padyshim që e ndjeni që kjo është deklaratë e rëndësishme politike dhe sociale.

Stallman: Bëhet fjalë për një ndryshim. Po përpiqem të ndryshoj mënyrën se si njerëzit trajtojnë njohuritë dhe informacionin në përgjithësi. Mendoj se përpjekjet që njohuritë të kenë pronar, përpjekjet për të kontrolluar nëse u lejohet a jo njerëzve t’i përdorin, ose përpjekjet për të penguar që njerëzit t’i ndajnë mes tyre, janë sabotim. Është veprimtari nga e cila përfiton personi që e kryen, në kurriz të varfërimit të krejt shoqërisë. Dikush fiton një dollar duke shkatërruar dy dollarë pasuri. Mendoj se një njeri me ndërgjegje nuk kish për ta bërë këtë gjë, përveç rastit kur përndryshe do t’i duhej të vdiste. Dhe sigurisht, personat që e bëjnë, janë jo pak të kamur; më mbetet vetëm të them se janë të paskrupuj. Do të doja t’i shihja këta persona të shpërbleheshin për shkrim software-i të lirë dhe për nxitjen e personave të tjerë që t’i përdorin. Nuk dua t’i shoh këta persona të shpërblehen pse shkruajnë software pronësor, sepse kjo nuk është ndonjë kontribut për shoqërinë. Parimi i kapitalizmit është ideja që njerëzit arrijnë të bëjnë para duke prodhuar gjëra, e prandaj nxiten të bëjnë atë çka është e dobishme, vetvetiu, të themi. Por kjo nuk funksionon kur vjen puna te pronësimi i njohurive. Në këtë rast nxiten të bëjnë jo atë që është e dobishme dhe, çfarë është realisht e dobishme, nuk nxitet. Jam i mendimit që është e rëndësishme të thuhet se informacioni është tjetër gjë nga objektet materiale, si automjetet apo bukët, ngaqë njerëzit mund ta kopjojnë dhe ndajnë vetë me njëri-tjetrin dhe, po qe se askush nuk përpiqet t’i pengojë, mund ta ndryshojnë e ta bëjnë më të mirë, po për veten e tyre. Kjo është diçka e dobishme. Në rastin e bukës kjo nuk është e vërtetë. Po qe se keni një bukë dhe doni një tjetër, nuk mund ta fusni bukën në një kopjues buke. Nuk mund të bëni një tjetër pa kaluar krejt hapat që u përdorën për të prodhuar të parën. Ndaj është e parëndësishme në u lejohet a jo njerëzve ta kopjojnë—është e pamundur.

Librat, deri tani vonë, shtypeshin vetëm në shtypshkronja. Mundej të bënit një kopje me dorë ju vetë, por kjo nuk qe praktike sepse hante shumë më tepër kohë se sa përdorimi i shtypshkronjave. Dhe nga dora do të dilte diçka shumë më pak tërheqëse sa që, tek e fundit, do të reagonit si të qe e pamundur të prodhosh libra me mënyrë tjetër, hiq prodhimin në masë të tyre. Ndaj të drejtat e kopjimit nuk i hoqën publikut lexues ndonjë të drejtë. Nuk kish ndonjë gjë që blerësi i librit mund ta bënte dhe që qe e ndaluar nga të drejtat e kopjimit.

Por kjo nuk është e vërtetë për programet e kompjuterit. Edhe për kasetat nuk është e vërtetë. Është pjesërisht e rreme tani për librat, por ende është e vërtetë që për shumicën e librave është më e kushtueshme dhe sigurisht do më shumë punë për të bërë një kopje në Xerox se sa të blesh një kopje dhe fryti prapë është më pak tërheqës. Tani jemi në një periudhë kur gjendja që i bënte të drejtat e kopjimit të padëmshme dhe të pranueshme po ndryshon drejt një gjendje ku të drejtat e kopjimit do të bëhen shkatërruese dhe të patolerueshme. Kështu që personat që përgojohen si “piratë” në fakt janë persona që po përpiqen të bëjnë diçka të dobishme e cila u është mohuar. Ligjet e të drejtave të kopjimit janë hartuar tërësisht për të ndihmuar disa njerëz të arrijnë kontroll të plotë mbi përdorimin e disa informacioneve për interes të tyre. Por nuk janë hartuar për të ndihmuar njerëz që dëshirojnë të sigurohen se informacioni mund të kihet nga publiku dhe të pengohen të tjerët të pengojnë publikun. Mendoj se ligji do të duhej të njihte një klasë veprash që janë në pronësi të publikut, çka është tjetër nga përkatësia publike, në po atë frymë që një park publik është tjetër gjë nga diçka e gjetur në koshat e hedhurinave. Nuk është atje që ta marrë me vete dikush, është atje që ta përdorë kushdo dhe askush të mos e pengojë përdorimin. Cilido anëtar i publikut që e gjen veten të privuar nga vepra të rrjedhura prej diçkaje në pronësi të publikut, do të duhej të ishte në gjendje të hapte padi rreth kësaj.

BYTE: Por a nuk janë piratët të interesuar të kenë kopje të programeve, ngaqë duan të përdorin këto programe, jo pse duan të përdorin njohuritë për të prodhuar diçka më të mirë?

Stallman: Nuk shoh të ketë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Më tepër persona që përdorin një program do të thotë që programi kontribuon më shumë te shoqëria. Si të kishim një bukë që mund të hahet një herë, ose një milion herë.

BYTE: Disa prej përdoruesve blejnë software komercial që të kenë për të dhe asistencë. Si e furnizon asistencën skema juaj e shpërndarjes?

Stallman: Dyshoj se ata përdorues janë udhëhequr gabim dhe nuk po mendojnë kthjellët. Sigurisht që pasja e asistencës është e dobishme, por kur zënë e mendojnë se ku hyn kjo te shitja e software-it ose me të qenët e software-it pronësor, në këtë pikë zënë e ngatërrohen. Nuk ka garanci që software-i pronësor do të mbulohet me asistencë të mirë. Vetëm pse e thonë shitësit se ofrojnë asistencë, kjo nuk do të thotë se do të jetë e mirë. Biznesi i tyre mundet edhe të mbyllet. Në fakt, njerëzit mendojnë se GNU EMACS ka asistencë më të mirë se sa EMACS-et komercialë. Një nga arsyet është ngaqë jam ndoshta hacker më i mirë se sa personat që shkrojtën EMACS-et e tjera, por arsyeja tjetër është se burimet i ka gjithkush dhe ka kaq shumë persona të interesuar të mësojnë se si t’i bëjnë gjërat me të, sa nuk keni pse merrni asistencë nga unë. Madje edhe asistenca falas, si ndreqja e të metave që më njoftojnë njerëzit dhe përfshirja e tyre në versionin pasues, u ka dhënë njerëzve një shkallë të mirë asistence. Kurdo mund të punësoni dikë që t’ju zgjidhë një problem dhe, kur software-i është i lirë, keni treg konkurrues për asistencën. Mund të punësoni këdo. Me EMACS unë shpërndaj një listë shërbimesh, një listë me emra personash dhe numra telefonash dhe sa kushton të kesh asistencë prej tyre.

BYTE: A i grumbulloni ndreqjet e tyre për të metat?

Stallman: Ata m’i dërgojnë. U kërkova krejt personave që donin të ishin në listë, të premtonin se kurrë nuk do t’i kërkonin, cilitdo klienti, ta mbante sekret se ç’i thanë ose çfarëdo ndryshimi që u qe dhënë për software GNU si pjesë e kësaj asistence.

BYTE: Por kështu, nuk mund t’i bëni personat të konkurrojnë për dhënie asistence, bazuar në njohjen prej tyre të zgjidhjeve për disa probleme, të cilat dikush tjetër nuk i di.

Stallman: Jo. Ata mund të konkurrojnë me njëri-tjetrin mbi bazën e të qenit më të zgjuar dhe më me gjasa për të gjetur zgjidhjen e problemit tuaj, ose mbi bazën e njohjes së më shumë nga problemet e zakonshme, ose pse dinë t’ju shpjegojnë më mirë se çfarë duhet të bëni. Këto janë tërë rrugët se si mund të konkurrojnë. Mund të përpiqen të jenë më të mirë, por nuk mund të pengojnë aktivisht konkurrentët e tyre.

BYTE: Pak a shumë si të blije një makinë. Për asistencë ose për mirëmbajtje në vazhdimësi, nuk jeni i detyruar të riktheheni te prodhuesi origjinal.

Stallman: Ose si të blesh një shtëpi—si do të ishte nëse i vetmi person që do t’ju rregullonte problemet me shtëpinë tuaj të ishte ai që e ndërtoi fillimisht? Ky është lloji i detyrimit që prek software-in pronësor. Njerëzit më tregojnë për një problem që ndodh në Unix. Ngaqë prodhuesit shesin versione të përmirësuara të Unix-it, kanë prirjen t’i grumbullojnë ndreqjet dhe t’i japin ato vetëm në trajtë dyore. Përfundimi është që të metat në fakt nuk ndreqen.

BYTE: Po përpiqen të tërë nga dy herë për të ndrequr të meta në rrugë të pavarur.

Stallman: Po. Ja një pikë tjetër që ndihmon të vendoset problemi i informacionit pronësor në optikën sociale. Sillni në mend krizën e pagesave të dëmshpërblimeve nga sigurimet. Që të mund të përfitojë çfarëdo kompensimi prej shoqërisë, një person i dëmtuar duhet të marrë një avokat dhe t’i ndajë paratë me avokatin. Ky është budallallëk dhe një rrugë e paefektshme për të ndihmuar viktimat e aksidenteve. Mendoni pastaj gjithë atë kohë që njerëzit e harxhojnë për t’u marrë punën konkurrentëve. Mendoni stilolapsat që paketohen në kuti të mëdha kartoni që kushtojnë më shumë se stilolapsi—vetëm për t’u siguruar që nuk do të vidhet stilolapsi. Nuk do të ishte më mirë të vinim stilolapsa falas në çdo qoshe rruge? Mendoni edhe gjithë pikëpagesat që pengojnë rrjedhën e trafikut. Bëhet fjalë për një dukuri shoqërore gjigante. Njerëzit gjejnë rrugë të bëjnë para duke penguar shoqërinë. Pasi arrijnë të pengojnë shoqërinë, mund të paguhen për t’i lënë njerëzit të qetë. Shpërdorimi i lidhur organikisht me pronësinë mbi informacionin do të bëhet gjithnjë e më me peshë dhe, tek e fundit, do të jetë dallimi midis utopisë, në të cilën askush nuk ka nevojë të punojë që të rrojë, pse gjithçka bëhet nga robotët dhe botës si e jona, ku gjithkush shpenzon kaq shumë kohë duke përsëritur çfarë është duke bërë tjetri ngjitur.

BYTE: Pak a shumë si shkrimi i shënimeve për të drejta kopjimi te software-i.

Stallman: Më tepër si mbikëqyrje e kujtdo, për t’u siguruar që nuk ka kopje të ndaluara të çfarëdo gjëje dhe ribërjen e gjithë punës që njerëzit e kanë bërë tashmë, ngaqë është pronësore.

BYTE: Një mendje cinike mund të pyesë se si e fitoni jetën.

Stallman: Nga konsulenca. Kur jap konsulencë, gjithmonë ruaj të drejtën të jap çfarë shkrojta përgjatë aktit të konsulencës. Po ashtu, mund të nxjerr shpenzimet e jetës duke postuar kopje të software-it të lirë që shkrojta, apo që kanë shkruar të tjerë persona. Plot vetë dërgojnë $150 për GNU EMACS, por tani këto para shkojnë për Free Software Foundation që themelova. Fondacioni nuk më paguan ndonjë rrogë, sepse do të ishte përplasje interesash. Në vend të kësaj, punëson persona të tjerë të punojnë mbi GNU-në. Për sa kohë që mund të vazhdoj të fitoj jetesën nga konsulenca, mendoj se kjo është rruga më e mirë.

BYTE: Çfarë përfshin tani shiriti me shpërndarjen zyrtare GNU ?

Stallman: Hëpërhë shiriti përmban GNU EMACS (një version për krejt llojet e kompjuterave); Bison, një program që zëvendëson YACC-in; që është dialekti super i thjeshtuar i profesor Sussman-it për LISP; dhe Hack, një lojë eksplorimi llogoresh, e ngjashme me Rogue.

BYTE: Doracaku i shtypur vjen bashkë me shiritin?

Stallman: Jo. Doracakët e shtypur kushtojnë $15 copa ose kopjojini vetë. Kopjojeni këtë intervistë e ndajeni me të tjerët, po njësoj.

BYTE: Si mund të kihet një kopje e tij?

Stallman: I shkruani Free Software Foundation, 675 Massachusetts Ave., Cambridge, MA 02139.

[FSF-ja ka funksionuar së largëti që nga 1 shtatori 2024.
Adresa e tanishme postare:
Free Software Foundation, 31 Milk St # 960789, Boston, MA 02196, USA
Me zë: +1-617-542-5942
Me faks: +1-617-542-2652]

BYTE: Çfarë do të bëni kur të keni mbaruar sistemin GNU?

Stallman: S’jam i sigurt. Ndonjëherë mendoj se do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë në fusha të tjera të software-it.

BYTE: Pra ky është i pari në një seri të plotë sulmesh mbi industrinë e software-it?

Stallman: Shpresoj të jetë kështu. Por, ndoshta, ajo çka do të bëj, është të rroj një jetë të lehtë, duke punuar për pak kohë sa për të rrojtur. S’kam pse rroj shtrenjtë. Pjesën tjetër të kohës mund të gjej persona interesantë për shoqëri ose të mësoj të bëj gjëra që s’di t’i bëj.