Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Qendra e Kompjuterave e Bashkësisë Ambedkar (AC3)
Vendndodhje
Qendra gjendet në Sudharshan, në periferi të Bannerghatta Road, në Bangalore, shteti i Karnatakas, Indi.
Mbi
Qendra e Kompjuterave e Bashkësisë Ambedkar (AC3)s’është institucion arsimor privat ose publik, është një qendër edukative për kompjutera e mbajtur në këmbë nga një grup vendor i quajtur Ambedkar Sanga që punon në lagjet e varfëra të zonës.
Qendra u themeluar më 2007-n si një përpjekje për ta sjellë botën e kompjuterave afër fëmijëve dhe të rinjve të paprivilegjuar, që përndryshe do të kishin fare pak mundësi të binin në kontakte me këtë teknologji.
Grupi përbëhet nga rreth 15 fëmijë dhe djem e vajza nga 13 deri në 23 vjeç. Këta ndjekin mësimet 3 herë në javë për 2 orë/mësim.
Motivim
Zonës ku gjendet Qendra i mungojnë kushtet më elementare të jetesës. Na duket se fëmijët prej këtij vendi duhet të kenë goxha etje për Liri, teksa mësojnë kompjuterin dhe Software-i i Lirë e përmbush këtë qëllim. Software-i I Lirë është një rrugë për të folur për Lirinë.
Si Ia Arritëm
S’pati proces migrimi. Ne jemi përkrahës të Software-it të Lirë, ndaj ia filluam drejtpërsëdrejti duke instaluar Software të Lirë në krejt kompjuterat në përdorim; kështu që, s’kemi hasur ndonjë vështirësi të veçantë në ujdisjen e sistemeve. Vështirësia jonë kryesore lidhet me mungesën e hardware-it. Përdorim vetëm portativë dhe na duhen sa më shumë të mundemi. Për punën tonë bazohemi në dhurime.
Përkushtimi ndaj Software-it të Lirë
Kemi pesë poste dhe që të gjithë janë portativë që xhirojnë sisteme plotësisht të lirë operativë.
Krejt programet që përdorim janë software i Lirë Libre. Për shembull, përdorim LibreOffice për fletëllogaritje dhe shkrim dokumentesh të përgjithshëm dhe GIMP për gjëra grafike.
Përfundime
Shfletimi në internet duke përdorur Software të Lirë i ndihmon këta djem dhe vajza të reja të kenë një dritare në botën jashtë tyre, pa rrezik dhe privatisht. Programe të lira për grafikë, si GIMP-i, u lejojnë të shprehin frymën e tyre krijuese lirisht dhe lehtësisht.
Një nga fëmijët e paprivilegjuar që merr pjesë në mësimet e Qendrës ka arritur aftësi në shkallë të lartë në përdorimin e GIMP-it. Punët e tij janë paraqitur dhe shitur në një konferencë vendore mbi Software-in e Lirë. Fotoja djathtas tregon atë duke i dhënë Richard Stallman-it një kopje të një sprove të titulluar “E ardhmja është e jona”, e prodhuar nga Qendra.
Disa nga fëmijët që marrin pjesë në mësimet tona, bëjnë gjithashtu mësim informatike në shkollë. Na thonë se aftësitë që mësojnë në Qendër janë ndihmë e paçmueshme për ta në ndjekjen dhe kalimin e këtyre lëndëve me sukses.
Kemi informacion se përpjekja e dalluar e vullnetarëve të Software-it të Lirë po shtrihet më tej në këto zona të pafavorizuara të qytetit, me rezultate të shënuara. Nëse doni të kontribuoni ose dhuroni kompjutera portativë për këtë grup, ju lutemi, lidhuni me ne përmes <education@gnu.org>.
Figura në këtë faqe licencohet sipas CC-BY-SA, Creative Commons Attribution-Share Alike 3.0 Unported License.
Informacioni vijues u parashtrua nga një grup vullnetarësh që punojnë te Qendra.